Kryeministri holandez, Mark Rutte konfirmoi sot dorëheqjen e tij dhe atë të të gjithë ministrave të kabinetit, ndërkohë që qeveria e tij u akuzua për një skandal administrativ, që akuzonte mijëra prindër për mashtrim me ndihmat familjare.

“Sundimi i ligjit duhet të mbrojë qytetarët e tij nga një qeveri e plotfuqishme. Ajo ka dështuar në një mënyrë të tmerrshme”, theksoi Rutte në një konferencë për shtyp, duke konfirmuar se ai kishte paraqitur dorëheqjen e tij mbreti Willem-Aleksandri.

Dorëheqja e qeverisë së kryeministrit, Mark Rutte erdhi për shkak të një skandali të madh, në të cilin mijëra familje janë akuzuar gabimisht për mashtrim.

Skandali ka të bëjë me faktin se qeveria ka ushtruar presion mbi familjet për të shlyer përfitimet e marra për fëmijët duke shtyrë prindërit të marrin borxhe.

Në diskutim është një raport parlamentar i lëshuar së fundmi, që detajon sesi agjencitë qeveritare akuzuan para gjykatës 20 000 prindër për mashtrim dhe i detyruan ata të shlyejnë përfitimet e fëmijëve.

Rikthimi i shpejtë i parave i shtyu disa familje të varfra, që i kishin shpenzuar ato, në prag të falimentimit.

Qeveria ka kërkuar falje dhe ka ofruar kompensim prej rreth 30 000 euro për familje.

“Këto familje pësuan një gabim të pashembullt”, vendosën deputetët holandezë.

Vendimi vjen në një moment delikat të luftës ndaj pandemisë koronavirus. Aktualisht, Holanda gjendet në një izolim të pjesshëm dhe po konsiderohej një ashpërsim i kufizimeve për të frenuar përhapjen e Covid-19.