Pas publikimit të të dhënave të pagave të mbi 650 mijë personave, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për “shpërdorim detyre” dhe “ndërhyrje në sistemet kompjuterike”.

Prokuroria ka dërguar grupin hetimor për të kryer veprime në tre institucione, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe në Drejtorinë të Përgjithshme të Tatimeve.

Nëntë muaj pas skandalit të “patronazhistëve” një tjetër rrjedhje masive të dhënash personale ka tronditur opinionin publik në vend, pas publikimit të pagave të shqiptarëve, por edhe të huajve rezidentë në Shqipëri, përfshi pagat e tyre në sektorin shtetëror apo privat.

Lista në formatin “Excel” mban emërtimin “Rrogat janar 2021”, ndërsa të enjten nisi të qarkullonte edhe një tjetër listë në të njëjtin format, me emër “prill 2021”. Në të dy këto lista janë shkruar emrat dhe mbiemrat e qytetarëve, numri i kartës së identitetit, kompania ku punon, numrin e orëve të punës, madje edhe numrat e telefonit.

Kryeministri Edi Rama, reagoi këtë të enjte lidhur me ngjarjen, duke e quajtur një përpjekje për destabilitet. Ai tha se sulme të tilla ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara, madje rregullisht, dhe kjo nuk do të ngadalësojë procesin e digjitalizimit. I pyetur nëse drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, do të jepte dorëheqjen nëse hetimi tregon se databaza ka dalë nga e-Albania, kreu i qeverisë tha se SHBA-së i dolën të gjitha sekretet dhe nuk pati dorëheqje.

Për ngjarjen kanë reaguar edhe aktorë të tjerë politikë. Presidenti Meta kërkoi hetimin sa më të shpejtë, ndërsa Sali Berisha tha se lista është lejuar të publikohet nga vetë Rama, për të tërhequr vëmendjen nga hetimi i çështjes së inceneratorëve.