Presidenti Ilir Meta reagoi në Facebook pas skandalit të publikimit të një databaze nga Tatimet për emrat, kompanitë dhe pagat e qindra mijë punonjësve në sektorin publik e privat.

“U njoha nga mediat për daljen në publik të një liste me të dhënat sensitive personale të 637 138 qytetarëve të punësuar, në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës, një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve”, shkruan Meta në rrjetin social.

Kreu i Shtetit shtoi se “të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit”.

“Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cënuar sigurinë private të çdo qytetari. I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve”, shton Presidenti Ilir Meta.

PD: Skandal i përmasave të jashtëzakonshme, Rama të dorëhiqet

Edhe Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me databazën e të dhënave mbi rrogën dhe të dhënat personale të qindra mijëra persona, që po qarkullon në rrjetet sociale.

Në emër të PD, Enkelejd Alibeaj deklaroi se vendi ndodhet përballë “një skandali të përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria e Edi Ramës ka nxjerrë në pazar pagat e mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri”.

Sipas tij, “Qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive për pagat, numrin personal të identifikimit, vendin e punës të mbi 630 mijë qytetarëve. Partia Demokratike beson se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimit të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve”.

Ai shtoi se “lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Gjatë fushatës zgjedhore u publikuan “online” të dhënat e patronazhistëve të Partisë Socialiste me të dhënat e qytetarëve, por SPAK nuk nxori përgjegjës.

Ndërkohë, sot Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin pas kallëzimit të bërë nga një grup qytetarësh lidhur me databazën e Tatimeve për pagat në sektorin publik e privat.