Pas një viti pushim për shkak të pandemisë, Topi i Artë rikthehet mbrëmjen e sotme me edicionin e 65-të. Ceremonia për trofeun më të rëndësishëm individual do të zhvillohet në Paris dhe nis prej orës 20:30.

Në garë janë 30 yje të Futbollit. Rekordi absolut mbahet nga Lionel Messi, i cili e ka fituar gjashtë herë trofeun, ndërsa Cristiano Ronaldo ka një më pak.

Italia kampione e Europës përfaqësohet nga 5 futbollistë, mes të cilëve Donnarumma, Bonuchi, Barella, Chiellini dhe Jorginho. Ky i fundit është mes favoritëve, edhe sepse fitoi Champions League me Chelsea.

Gjithsesi, Lionel Messi cilësohet si kandidati më i fortë për Topin e Artë pasi fitoi Kupën e Amerikës, trofeun e parë ndërkombëtar në karrierë me Argjentinën.

Nuk mund të nënvlerësohet as Robert Lewandowski, bomberi polak i Bayern-it, i cili duhej të ishte fitues i vitit 2020, por për fatin e tij të keq dhënia e trofeut u anulua, për shkak të anomalive të krijuara në kalendar nga situata pandemike.

Ndërsa gazeta franceze “L’equipe” shkruante në një artikull të sotëm se mes kandidatëve kryesorë për Topin e Artë ishte edhe sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema.

Në mbrëmjen e kurorëzimit të Futbollistit më të Mirë në botë, jepen edhe Topi i Artë për femra, trofeu “Kopa” për Lojtarin më të Mirë të ri dhe trofeu “Yashin” për Portierin më të Mirë.