Duhen pak më shumë se 24 orë nga zyrtarizimi i listave të kandidatëve që partitë politike duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e deri më tani Gazeta “Si” mëson se të paktën në qarqet kryesore dhe që vlerësohen si vendimtarë për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, Edi Rama do të ndjekë një strategji të ngjashme me të 2017-ës.

Në thelb strategjia e ndjekur edhe 4 vite më parë synon që të nxisë drejtuesit politikë të qarqeve dhe figurat e tjera qendrore dhe vendore udhëheqëse të partisë që të mos e marrin si të mirëqënë praninë e tyre në Kuvend, duke u vendosur në atë që quhet si “zona e diskutueshme e listës”.

Zona përcaktohet qark pas qarku në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 2017-ës. Si shembull, katër vite më parë vetë Edi Rama e vendosi emrin e vet të gjashtin në listën e kandidatëve të Vlorës, më shumë si shembull për t’u treguar të tijve se as ai vetë s’e kishte vendin e sigurtë si deputet, por edhe si bindje për fitoren.

E më 25 prill, emri që mund të përfundojë i gjashti në listën e kandidatëve socialistë për Vlorën është ai i drejtuesit të qarkut, Damian Gjiknuri. Rama vetë pritet që të kryesojë listën në këtë qark, ndërsa në vendet fituese parashikohet që të jetë edhe kryebashkiaku aktual i qytetit, Dritan Leli.

E njëjta skemë pritet që të ndiqet edhe në Qarkun e Fierit dhe ndoshta edhe në Berat. Në Fier, Gramoz Ruçi mund të vendoset sërish i nënti në listë, aq sa ka qenë i renditur në zgjedhjet e 2017-ës. Mandati i 9-të konsiderohet si objektivi minimal i socialistëve në këtë qark me 16 mandate në total. Në 2017-n, objektivi u tejkalua dhe PS mori 10 mandate, 4 Partia Demokratike dhe 2 LSI. Mbetet për t’u parë nëse katër vite më vonë ky rezultat do të përsëritet.

Në Berat, në lojë janë 7 mandate. Në 2017-n, PS mori 4, LSI 2 dhe PD 1. Objektivi është ruajtja e të njëjtit rezultat ndaj Blendi Klosi, si drejtues politik i qarkut mund të përfundojë i katërti në listë.

Të paktën në Vlorë dhe në Fier strategjia e ndjekur nga Edi Rama në zgjedhjet e 2017-ës funksionoi. Në të dyja këto qarqe, socialistët ja dolën mbanë që të sigurojnë një mandat përtej “mandatit të diskutueshëm”. Rama vetë ishte i gjashti në Vlorë, ndërsa PS siguroi 7 mandate, e po ashtu Gramoz Ruçi ishte i nënti në Fier, ku PS siguroi 10 mandate.

A do të ndiqet e njëjta strategji dhe për më tepër, a do të prodhojë kjo strategji të njëjtin rezultat dhe pritshmëri për socialistët si në 2017? Kjo mësohet vetëm pas 25 prillit.