Mbrëmjen e djeshme është sulmuar posta policore në Jasenovik, në kufirin Kosovë-Serbi.

Policia njofton se ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku është dëmtuar rrethimi i godinës ku ndodheshin efektivët.

“Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët policorë të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, kanë informuar se me datë 02 nëntor 2022 gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna armesh (dy të shtëna radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke. Njësia relevante policore ka gjetur një predhë plumbi e cila kishte goditur rrethojën e objektit të stacionit policor për mbikëqyrje kufitare në Jasenovik”, sqaron Policia e Kosovës.

Lidhur me rastin Drejtoria kundër Terrorizmit po kryen hetime mbi dyshimet për kryerjen e veprave terroriste.

“Policia e Kosovës me njësitet policore, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe kontrabandës si dhe shërbimin ndaj vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në njoftimin e policisë”, thuhet në njoftim.

Situata në veri të Kosovës mund të jetë shkaktuar për shkak të vendimit të qeverisë për targat, i cili kundërshtohet nga pala serbe.

Nga data 1 nëntor, të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë do t’u shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Në afatin 21 nëntori deri më 21 janar pronarët që kanë ende makina me targa serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.