Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të së premtes në makinën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së Debreshit, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

Sipas policisë, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Në pjesën e përparme të automjetit të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” tha përmes një njoftimi drejtoria e Policisë së Dibrës.

Sipas fqinjëve, shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe një pjesë e murit në afërsi të mjetit të parkuar është rrëzuar.

Policia bëri me dije se janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. BIRN nuk arriti të komunikonte dot me Debreshin deri në publikimin e shkrimit.

Prej nëntorit 2019, Elton Debreshi është zgjedhur kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Pas një vale protestash në dhjetor 2019, ai u shkarkua nga puna në kompaninë Albchrome. Debreshi kandidoi si i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, por nuk arriti të zgjidhej deputet.