Një tonelatë me kokainë u kap e fshehur në një konteiner me banane të premten në lagjen Mojanoviqi në periferi të kryeqytetit Podgoricës, në Mal të Zi.

“Policia malazeze dhe departamenti doganor kanë kapur 1,205 pako kokainë … në një dërgesë banane … me një peshë totale mbi një ton,” njoftuan autoritetet malazeze, sipas një raportimi nga Reuters.

“Cfarë arritje për policinë malazeze! Po bëjmë atë që kemi premtuar: Mali i Zi nuk do të jetë vend i krimit,” deklaroi në Twitter zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç.

Ngarkesa përbën sasinë më të madhe të drogës të kapur ndonjëherë në vend.

Mali i Zi prej viteësh është vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe një nga kushtet e anëtarësimit lidhet me luftën ndaj korrupsonit dhe krimit të organizuar.

Policia ende nuk ka dhënë informacion në lidhje me origjinën apo grupet e përfshira, por vetëm ka bërë publike faktin se ka arrestuar 2 persona.

Ndwrsa mediat lokale shkruajnë se autoritetet e vendit u informuan nga bashkëpunëtor ndërkombëtar mbi ngarkesën dhe e lanë të kalonte pa probleme në pikat doganore, për të gjurmuar destinacionin përfundimtar.