Pas katër etapave të rënies së PD, sipas Mark Markut, Fatbardh Kadilli, njëri nga tre kandidatët që rivalizoi Lulzim Bashën për kreun e partisë në zgjedhjet e 13 qershorit shpalos pesë sfidat e ringritjes së opozitës.

Sfida e parë, sipas Kadillit është ndryshimi i qëndrimit të Partisë Demokratike ndaj reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja të dala prej kësaj reforme, që janë kritikuar deri më tani nga opozita deri si të kapura nga Edi Rama.

“Partia demokratike duhet të shpallë qartë pa ekuivoke, me kurajo dhe ndershmëri se mbështet fuqishëm institucionet e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në misionin e saj për të pastruar politikën, PD dhe opozita nuk kanë dhe nuk mund të gjejnë aleat më të fortë, më efiçient se sa partneriteti me institucionet e drejtësisë. Korrupsioni dhe krimi nuk luftohet vetëm me deklaratat nga foltorja e PD. As me akuza dhe sulme politike. Këto e relativizojnë dhe e banalizojnë të keqen”, thotë ai.

Sfida e dytë që identifikon Kadilli është Kodi i ri Zgjedhor ku qytetarët të kenë më shumë mundësi për të vendosur për deputetët dhe jo kryetarët.

“Ne duhet të propozojmë një sistem zgjedhor që ngrihet mbi interesat e të gjithë garuesve, pa përjashtim, duke zvogëluar monopolin e kryetarëve duke ua lënë në dorë të lirë qytetarëve që të zgjedhin deputetët e tyre. Ndryshe, «beteja për votën» është një retorikë pa fund, bajate”, deklaron ish-kandidati për kryetar i PD.

Sfida e tretë, sipas tij duhet të jetë kërkesa për një ndarje të re administrative të territorit, pasi siç thotë Kadilli, ndarja aktuale reflekton interesat elektorale të PS, LSI e PDIU.

“Ne nuk na duhet një ndarje e re administrative që bëhet si llogari elektorale mes partish. Ne duhet të korrigjojmë bojkotin absurd që i bëmë reformës në 2014. Pozicioni ynë duhet të mbështetet në propozimet e instituteve dhe qendrave kërkimore dhe të Shoqatës së Komunave që ishin larg nga llogaritë elektorale”, propozohet më tej.

Në pikën e katërt, Fatbardh Kadilli propozon rishikim të Kushtetutës për të korrigjuar balancën e pushteteve dhe ndarjen përfundimtare të Qeverisë nga Parlamenti.

“Ne duhet të shpallim që jemi për balancë të pushteteve që vjen nga forcimi i pavarësisë dhe autoritetit të çdo pushteti. Pavarësia e pushteteve vetvetiu balancon. Çdo pushtet duhet të burojë nga sovrani dhe jo nga ekuilibri dhe negociata politike e ditës apo e stinës. Ne duhet të synojmë që të ndahet përfundimisht legjislativi nga ekzekutivi”, thotë ai.

Në fund, Kadilli kërkon që qytetarëve t’u jepet e drejta për t’u shprehur me referendume.

“Sa më shumë të votojnë shqiptarët aq më shumë do ta mësojnë demokracinë. Aq më shumë do të ndihen të përgjegjshëm për votën e tyre. Aq më shumë do të mësojnë shqiptarët të jenë konkurues kur janë pakicë, dhe të dinë të sillen të përgjegjshëm kur janë shumicë”, deklaron Kadilli.

Në fund, ish-kandidati për kryetar i PD vlerëson se këto pesë sfidat politike rikthejnë institucionet mbi të cilat operon politika. “Ato kthejnë politikën dhe i japin fund farsës parapolitike ku kemi kontribuar edhe vetë në këto 30 vjet”.