Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba dhe ai i Rusisë Sergei Lavrov u takuan mëngjesin e kësaj të enjteje në Antalia të Turqisë. Ky është takimi i parë i nivelit të lartë mes dy vendeve që prej nisjes së luftës. Pas bisedimeve, ata dolën në deklarata për shtyp.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se nuk kishte qenë e lehtë të dëgjohej Lavrov gjatë takimit të tyre dhe theksoi se lista e kërkesave të Rusisë “do të thotë të dorëzohesh“. Kuleba shtoi se shpresonte që homologu i tij rus do ta përcjellë bisedën e tyre tek qeveria ruse e tek ushtria dhe të dëgjojnë lutjen e civilëve ukrainas.

Sa i përket një armëpushimi të mundshëm Kuleba tha: “Përshtypja ime është që Rusia nuk është në pozitat për të vendosur një armëpushim”. Ai shtoi se vendi i tij nuk mund të ndalojë luftën nëse vendi që e nisi agresionin nuk e ka një dëshirë të tillë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, nga ana e tij deklaroi se me homologun ukrainas kishte diskutuar për çështjet humanitare, përfshirë atë çfarë po bëjnë trupat për të mbrojtur civilët.

Lavrov po ashtu i akuzoi ukrainasit si nacionalistë, për përdorimin sipas tij të civilëve si mburojë.

I pyetur nëse do të jetë i mundur një armëpushim, Lavrov tha se “operacioni special ushtarak” do të vijojë dhe se strategjia e Vladimir Putin po shkon sipas planit.

Lavrov po ashtu tha se dërgimi i ndihmave ofensive në Ukrainë nga perëndimi ishte një sjellje e rrezikshme.

“Ne nuk e sulmuan Ukrainën”, tha ai duke deklaruar se Rusia po kërcënohej dhe duhet të mbronte rajonet e Donetsk dhe Luhansk, të cilat Rusia i sheh të pavarura nga Ukraina.

Ai gjithashtu tha se furnizimi me armë i Ukrainës është një veprim i rrezikshëm. “Si do t’i kontrollojnë këto armë? Ato mund të përhapen në të gjithë Europën. Ne nuk kemi plan të sulmojmë shtete të tjera. Nuk e kemi sulmuar Ukrainën. E kemi shpjeguar se kishte një kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe pas disa vitesh që ngritëm alarmin, askush nuk na dëgjoi. Kundër republikave në Donetsk dhe Luhansk ishin planifikuar sulme këtë muaj”, tha Lavrov.

“SHBA-ja po përdor territorin e Ukrainës për të krijuar armë biologjike. As BE-ja nuk e dinte që SHBA-ja po kryente kërkime shkencore të paligjshme në Ukrainë, edhe OKB-ja. Por nuk habitemi se amerikanët e kanë bërë këtë në fshehtësi, siç kanë bërë me shtete të tjera pranë kufirit me Rusinë dhe Kinën”, akuzoi Lavrov.