Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se lufta në Ukrainë po ndodh për shkak të sjelljes së ndryshme të Perëndimit në vende të ndryshme të Europës.

Ai përsëriti tezën se shkëputja e Krimesë dhe republikave separatiste në Ukrainë është e ngjashme me pavarësinë e Kosovës.

“Kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti. Por pse shqiptarët lejohen ta bëjnë këtë, dhe rusët në Ukrainë jo? Shqiptarët u lejuan të punojnë në këtë drejtim nga Perëndimi”, tha Lavrov në konferencë për mediat pas takimit me homologun ukrainas, Kuleba.

Ai përsëriti pretendimin “Ukraina po përdor civilët si mburoja” për “operacionin ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, të cilën pjesa tjetër e botës e cilëson pushtim.

Lavrov tha se Rusia kërkon demilitarizimin e Ukrainës dhe të heqë dorë nga kërkesa për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Operacioni ushtarak nuk është për të pushtuar Ukrainën, por për të mos lejuar që Ukraina të bëhet pjesë e NATO-s, duke rrezikuar Rusinë”, u shpreh Lavrov.

Lavrov dhe Kuleba u takuan në Antalia të Turqisë, ku ministri i Jashtëm turk e ndërmjetësoi këtë takim, të parin pas 15 ditësh tensioni.