Nga Entela Resuli

Thonë se hera e fundit ku njeriu ndihet rehat është barku u nënës. Aty gjenden në parajsën e tij, ndërsa me daljen në jetë, fillojnë sfidat! Por bebet në vendin tonë sfidën e parë e paskan me krevatin e lindjes, i cili mesa duket në pjesën më të madhe të materniteteve është i amortizuar. Këtë dhe shumë problematika të tjerë nxjerr në pah Kontrolli i Lart i Shtetit nëpërmjet një raporti ku tregohen rezultatet auditimit të performancës me temë “Mëmësia e Sigurt: Kujdesi Shëndetësor Spitalor Natal dhe Postnatal”, pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Spitalit Universitare Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni” dhe  “Mbretëresha Geraldinë, Spitalit Rajonal Vlorë dhe Spitalit Rajonal Korçë, duke pasur si pikësynim analizimin e çështjes sidomos nga këndvështrimi zbatimit të strategjisë për shëndetin seksual dhe riprodhues, i investimeve të kryera në përfitim të infrastrukturës së reparteve obstetrik- gjinekologjik të spitaleve, pajisjet mjekësore, kualifikimet dhe menaxhimi i stafit mjekësor, trajtimi i patologjive dhe niveli i shërbimit ofruar pacientit. “Dita” ka siguruar të dhënat e raportit i cili është shqetësues.

Sipas Raportit të KLSh-së mësohet se nga auditimi rezulton se angazhimi i MSHMS në drejtim të ofrimit të kujdesit shëndetësor spitalor për mëmësinë e sigurt referuar objektivave të Dokumentit Strategjik dhe Planit të Veprimit nuk ka qenë efektiv, për aq kohë sa ky institucion nuk ka mundur të krijojë kushtet e duhura për zbatimin e plotë të tyre.

Monitorimi dhe vlerësimi i këtij dokumenti nuk kanë ekzistuar për periudhën 2016 – 2019, duke penalizuar kështu analizimin dhe verifikimin e rezultateve të arritura si rrjedhojë e zbatimit të këtyre objektivave.

Mbikëqyrja e procesit të zbatimit të strategjisë është përcaktuar si një detyrë e Komitetit Kombëtar të Shëndetit Riprodhues por nga auditimi rezultoi se ky komitet nuk ka funksionuar gjatë gjithë periudhës së zbatimit të strategjisë, pasi është rikrijuar vonë, në vitin 2019.

Deri tani nuk është bërë një vlerësim i strategjisë për shëndetin seksual dhe riprodhues, e më konkretisht nuk janë realizuar: raportimet e progresit mujor dhe vjetor; përgatitja e raporteve për analiza specifike; kërkimet dhe vlerësimet e parashikuara në dokumentin strategjik. Gjithashtu nuk është hartuar një plan monitorimi dhe vlerësimi ashtu siç edhe sanksionohet në dokumentin strategjik.

Suprimimi i sektorit të shëndetit të nënës dhe fëmijës për shkak të ristrukturimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në vitin 2013 e deri tani, ka penalizuar punën e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nisur edhe nga fakti se ka pasur mungesa në kapacitete njerëzore për analizimin e treguesve kryesor shëndetësor.

Nga të dhënat e gjeneruara dhe përgjigjet e pyetësorëve drejtuar MSHMS është evidentuar se “reduktimi i vdekshmërisë amtare me 0.4 % më pak se niveli i vitit 2015” dhe “ulja e vdekshmërisë foshnjore me 0.4% më pak nga niveli i vitit 2015 (6.3/1000”), përcaktuar në Dokumentin Strategjik dhe Planin e Veprimit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues, nuk mund të verifikohet dhe nuk mund të analizohet si nga MSHMS, ashtu edhe nga grupi i auditimit për aq kohë sa për këtë strategji ka munguar totalisht monitorimi dhe vlerësimi.

Një tjetër konstatim i KLSH është se MSHMS nuk ka kryer një vlerësim gjithëpërfshirës dhe serioz të nevojës për burime njerëzore në strukturat shëndetësore të kujdesit spitalor, që analizon ngarkesën e punës për mjek, raportin numër pacientësh për mjek, duke përfshirë këtu edhe numrin e shtretërve me qëllim një përdorim sa më efiçient dhe efektiv të burimeve njerëzore në dispozicion të sistemit shëndetësor.

“Në Korçë reanimacioni nuk funksionon”

Konkretisht, në Spitalin Rajonal Korçë u evidentua se shërbimi obstetrik – gjinekologjik nuk ka mjek reanimator, por këtë funksion e mbulojnë mjekët reanimator të Spitalit, e për këtë arsye blloku i reaminacionit të maternitetit nuk është vendosur asnjëherë në funksion.

Gjithashtu po në këtë spital, nga intervista zyrtare me Shefin e Shërbimit Obstetrik – Gjinekologjik rezultoi se stafi, kryesisht infermierët në sallën e operacionit, nuk është i mjaftueshëm për menaxhimin e shërbimit edhe pse numri real i punonjësve është brenda limiteve të miratuara nga MSHMS.

“Në Vlorë nuk ka gjinekolog”

Ndërkohë në Spitalin Rajonal Vlorë mungojnë mjekët obstetër – gjinekolog dhe mjek neonat. Kurse në dy spitalet universitare të kryeqytetit vihet re mungesa e mjekëve neonat për të përballuar fluksin e lindjeve.

 Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në shërbimi i neonatologjisë nga 7 mjek të planifikuar në strukturën spitalore për ofrimin e shërbimit janë vetëm 3 të tillë ndërkohë që në Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” ka mangësi për mjek obstetër gjinekolog dhe mjek neonat.

Mungesa e specialistëve mjek neonat vjen si rrjedhojë e vështirësisë që ky profesion ka, pasi kërkon më tepër përgjegjësi, si dhe për t’u specializuar si mjek neonat duhet të kryhet specializimi katër vjeçar për pediatri dhe një mini-specializim një vjeçar për mjek neonat.

Një problematikë tjetër, që ka ndikuar në numrin e ulët të  mjekëve obstetër – gjinekolog, është edhe fakti se këta mjekë në përfundim të specializimit kanë refuzuar të shkojnë në institucionet shëndetësore në të cilat duhet të shkonin si rrjedhojë e angazhimit të marrë me MSHMS dhe spitalet në momentin e përfitimit të specializimit.

Dy vitet e fundit nga intervista zyrtare me MSHMS raportohet se mjekët që kanë përfunduar specializimet nuk kanë prishur kontratat me spitalet përkatëse apo MSHMS dhe kanë shkuar të ushtrojnë profesionin aty ku kanë marrë angazhimin.

Përtej arsyeve të përmendura më sipër një problematik tjetër është dhe mungesa e Planit Shtetëror Spitalor për vlerësimin e numrit të shtretërve në nivel vendi e si rrjedhojë nuk është vlerësuar ngarkesa e punës për mjek dhe kapacitetet reale të shërbimit spitalor në vendin tonë.

Nga auditimi i infrastrukturës spitalore si pjesë thelbësore e ofrimit të mëmësisë së sigurt rezultuan disa problematika të cilat kanë penalizuar ofrimin e shërbimit, duke qenë se ende nuk garantohen kushtet optimale në përputhje me Standardet e Cilësisë për Akreditimin e Strukturave Shëndetësore Universitare dhe atyre Spitalore dhe nuk ofrohet një shërbim i cili siguron nivelin më të lartë të pastërtisë, higjienës dhe sterilitetit, që, me gjithë përpjekjet e pareshtura të personelit shëndetësor, ende mbetet në nivele jo të kënaqshme.

Kujdes nga infeksionet!

Në Udhërrëfyesin për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve, parashikohet se strukturat shëndetësore në vendin tonë duhet të plotësojnë standardet e cilësisë ISO. Sipas këtij udhërrëfyesi ndërtesat e vjetra nuk i plotësojnë këto standarde, por pavarësisht kësaj këto duhet të përfshihen në planifikime të mundshme të ristrukturimeve të tyre si në nivel qendror ashtu edhe lokal me qëllim mundësimin e zbatimit të tyre.

Gjatë auditimit në terren janë vizituar dy nga shërbimet shëndetësore më të rëndësishme për ofrimin e mëmësisë së sigurt: shërbimi i obstetrikës dhe ai i neonatologjisë. Cilësia aktuale e infrastrukturës spitalore në vendin tonë në përgjithësi dhe e këtyre dy reparteve në veçanti është elementi kyç i cili luan një rol thelbësor në sigurimin e një shërbimi cilësor dhe për ofrimin e mëmësisë së sigurt.

Në një spital, ajri, uji, pajisjet mjekësore dhe sipërfaqet e thata janë burime potenciale kontaminimi dhe infeksioni. Ambienti spitalor mund të kontaminohet me patogjene të ndryshëm ambientale si dhe me organizma virulente që transmetohen nga pacientët ose stafi i kolonizuar ose infektuar.

Mbajtja e ambienteve të pastra dhe sterile me qëllim mbrojtjen e pacienteve dhe të stafit nga sipërfaqet e kontaminuara është një mision i vështirë dhe shumë i rëndësishëm. Nga auditimi rezultoi se në spitalet objekt auditimi për parandalimin e infeksioneve spitalore në frekuenca të caktuara kohore kryhen depistime në ambientet spitalore nga specializantë të fushës. Nga auditimi i proceseve të standardizimit të higjienës për katër spitalet objekt auditimi rezultoi se në përgjithësi depistimet kryhen në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme edhe pse për shkak të kushteve të infrastrukturës nuk mund të respektohen maksimalisht kushtet e higjienës. Kjo pasi, në SUOGJ “Koço Gliozheni” ka rezultuar se në jo pak raste mostrat e depistimeve të marra nga pajisjet mjekësore, ambientet e brendshme të spitalit si (dysheme, krevate, inkubator, parvaze dritaresh etj) rezultonin pozitive të kontaminuara si pasojë e amortizimit fizik të këtyre pajisjeve.

Ndërkohë që në Spitalin Rajonal Vlorë, nuk kryheshin depistime të rregullta për ngarkesën mikrobale të ambienteve spitalore, për shkak të mungesës së mjekes mikrobiologe dhe laboratorit mikrobiologjik. Depistimet për ngarkesën mikrobale të ambienteve të SRV janë kryer mesatarisht 1- 2 depistime në vit, nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik Vlorë në kushtet kur udhëzuesi sugjeron të paktën 4 në vit.

Në Spitalin Rajonal Korçë depistimet realizoheshin dhe dokumentoheshin rregullisht në një regjistër një herë në muaj. Kryesisht nga regjistrat e depistimeve rezultoi se pajisjet më të kontaminuara janë aspiratorët, lavamanët etj. Kjo ishte evidente dhe gjatë auditimit në terren ku rezultoi se lavamanët në shërbimin e neonatologjisë nuk respektonin standardet higjienikë si dhe në sipërfaqe të caktuara kishin ndryshk; kutitë metalike në sallën e operacionit kishin ndryshk në sipërfaqe, fakt ky i konstatuar në një ambient i cili duhet të jetë absolutisht steril.

Në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” janë ngritur dhe funksionojnë strukturat për kontrollin dhe parandalimin e infeksioneve spitalore. Nga auditimi në terren në rezultoi se depistimet për mikro – organizma bakterial kryheshin dy herë në muaj nga një mjeke mikrobiologe e caktuar me këtë detyrë.

“Gratë lindin në shtretër të amortizuar”

Nga auditimi i infrastrukturës në spitalet objekt auditimi rezultuan problematika dhe mangësi të ndryshme. Konkretisht,  Në SUOGJ “Koço Gliozheni” rezultoi se në sallat e lindjes natyrale dhe  në dhomat pas lindjes infrastruktura nuk ishte referuar Standardet e Cilësisë për Akreditimin për Strukturat Shëndetësore Universitare. Në tre sallat e lindjes u konstatua se shtretërit e lindjes (në lindjet natyrale) ishin shumë të amortizuar, tavolina e shtratit për vendosjen e pajisjeve mjekësore ishte e thyer, mbështetëset e këmbëve nuk ishin statike si dhe sfungjerët e shtratit të lindjes ishin rrezik për infeksione, pasi edhe pastrimi i tyre ishte shumë vështirë. Në këto salla garantohej pastërtia por jo steriliteti. Kushtet në dhomat e pacientëve nuk ishin në nivelin e duhur referuar Standardet e Cilësisë për Akreditimin për Strukturat Shëndetësore Universitare: pjesa më e madhe e dhomave kishte probleme me lagështin nuk respektohej raporti numër shtretërish për sipërfaqe, dhomat e pacienteve funksiononin me tualete të përbashkëta, mungonin zilet për të thirrur mjekët dhe infermieret në rast komplikacionesh.

Në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” kushtet higjienike ishin të mira. Megjithatë nuk mungonin as këtu problemet infrastrukturore, në arredim dhe në pajisjet mjekësore: ku përafërsisht rreth 58 për qind e pajisjeve mjekësore dhe arredimi në përdorim janë të amortizuara nga këndvështrimi ekonomik, por janë ende në përdorim të stafit; shtretërit e pacientëve janë të ndryshkur në pjesët metalike; në dhomat e pacienteve mungonin zilet për thirrjen e mjekëve dhe infermiereve; jo të gjitha dhomat ishin të pajisura me tualete duke u bërë të vështira për t’u aksesuar nga pacientet; në sallën e lindjes normale ishin dy shtretër lindje, si pasojë e daljes nga funksioni e sallës tjetër të lindjes në tërmetin e nëntorit 2019, muret e brendshme dhe tavanet nuk ishin të lyera me bojë antibakteriale me veti fiziko – kimike të përshtatshme për objektet spitalore sipas standardeve të certifikuara të BE-së.

Të lindësh në Vlorë… nuk është fat!

Në Spitalin Rajonal Vlorë, Problematika të evidentuara nga auditimi në terren i infrastrukturës spitalore: dhoma e lindjes natyrale ishte e veshur me rezin ndërkohë që salla e operacionit dhe ambientet e tjera jo; dhomat ishin të pajisura me tualet por shtretërit nuk respektonin hapësirat e lejuara për m2 si dhe mungonin zilet për thirrjen e personelit mjekësor nga pacientet. Dyert dhe dritaret e dhomave ishin defektoze dhe të vjetruara; sfungjeri i shtratit të lindjes ishte i amortizuar; Lavamani për larjen e foshnjës ishte porcelan dhe me përmasa shumë të vogla për të kryer funksionin që ka; muret e brendshme dhe tavanet nuk ishin të lyera me bojë antibakteriale me veti fiziko-kimike të përshtatshme për objektet spitalore sipas standardeve të certifikuara të BE-se.

Nga intervistimi i mjekëve neonat u konstatuan mungesa në pajisje mjekësore si: ambulancë dhe aparate aspirimi për foshnjat. Këto pajisje ishin funksionale por ishin të vjetruara (8 vite përdorim).

Dy vite nga rikonstruksioni, materniteti i Korçës me krevate të thyer

Materniteti i Spitalit Rajonal Korçë ndryshe nga maternitetet e tjera objekt auditimi është rikonstruktuar prej vitit 2018. Nga vizita në terren rezultoi se hapësirat në godinën e re të maternitetit: përmasat e dyerve, korridoreve dhe dhomave ishin shumë të vogla duke krijuar jo pak herë probleme në lëvizshmërinë e pacientëve. Edhe pse ky maternitet kishte vetëm dy vite që kishte përfunduar nga auditimi u konstatua se: shtretërit e lindjes ishin të amortizuar, sfungjeri ishte i konsumuar, si dhe pjesët metalike ishin ndryshkur. Një prej krevateve ishte thyer tek pjesa e mbajtjes së pajisjeve mjekësore si dhe mbajtësja e këmbëve nuk arrinte të qëndronte statike, komodinat e blera ishin të thyera edhe pse kishin vetëm 2 vjet përdorim si dhe gjithashtu dyert, dritaret dhe pajisjet e tualetit ishin defektoze. Dhomat ishin të pajisura të gjitha me drite, zile për çdo shtrat. Në çdo dhomë kishte tualet; Krevatet e bebeve nuk ishin sipas specifikimeve teknike në katalog. Ishin material plastik dhe pjesa më e madhe e tyre ishin prishur te pjesa e sustës për uljen dhe ngritjen e foshnjës. Këto krevate ishin të papërshtatshëm dhe materiali plastik i tyre mbante shumë papastërti. Reaminacioni i maternitetit nuk ishte funksional. Gjithashtu, janë evidentuar pajisje të blera prej vitit 2018 të cilat nuk janë vënë në dispozicion si blerje shtretër reaminacioni në vlerën 476,850 lekë dhe shiringa elektrike me një vlerë totale 400,800 lekë të cilat nuk janë vënë asnjëherë në funksion.

Autoklavë ka në spital, por sterilizimin e bëjnë të koncesionari

Nga auditimi u konstatua se në Spitalin Rajonal Vlorë dhe në Spitalin Rajonal Korçë edhe pse reparti i gjinekologjisë dhe obstetrikës kishin autoklavë për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, për lindjet normale përdoreshin paketat e pajisjeve të sterilizuara të koncesionarit Sani Service shpk ndryshe nga Spitalet Universitare të cilët përdorin autoklavat e tyre.

Përdorimi i paketave kishte një vlerë të konsiderueshme prej 16,680 lekë për set për një shërbim të cilin mund ta kryenin nëpërmjet autoklavës. Duke gjykuar me parimet e eficiencës dhe ekonomicitetit  mund të themi se për SRV dhe SRK janë shpenzuar vetëm për vitin 2019 në kundërshtim me këto dy parime vlerat respektive prej 7,923,000 lekë dhe 7,589,400 lekë ndërkohë që këto shpenzime mund të ishin përdorur për të mbuluar nevoja të tjera të këtij shërbimi.

Së fundmi, mangësitë në administrimin dhe dokumentimin e trajnimeve të kryera nga stafi mjekësor nga ana e specialistëve për edukimin në vazhdim, referuar shërbimit obstetrik – gjinekologjik, nuk lejon gjurmimin dhe raportimin e saktë të gjitha trajnimeve të kryera nga stafi për periudhën objekt auditimi, si edhe penalizon vetë strukturat shëndetësore të cilat në këtë mënyrë nuk posedojnë të dhëna të sakta për avancimet profesionale të stafit. MSHMS nuk ka proceduar me hartimin e kurrikulave për trajnimin e detyrueshëm në edukimin në vazhdim të personelit shëndetësor që ofron kujdes për të porsalindurin, si dhe përcaktimi i kuadrit rregullator për certifikimin dhe ricertifikimin periodik të gjithë personelit të trajnuar që ofron kujdes për foshnjën e porsalindur./DITA