Kryeministri Rama ka reaguar pas tensioneve në qytetin e Elbasanit, ku pati përplasje mes simpatizantëve të Lulzim Bashës dhe të Partisë Socialiste, si dhe thirrje “Rama ik”.

Përmes një statusi në Twitter, kreu i qeverisë e quan incidentin një shfaqje vulgare të një opozite që kërkon sherr dhe përçarje dhe që ka mbetur në duart e një kukulle të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

“Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut&Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë! Keqardhje e madhe për #PD e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë!

Tash 20 vjet që vij në ditën e verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36”! Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e bicikletave e ishte fshehur mes tyre!”