Nga Erl KODRA

Pastaj mendova se ndoshta kjo mund të tingëllojë disi cinike, por hezitimi zgjati fare pak, në çastin që çova në mendje varfërinë e skajshme dhe shkretimin e vendit nga rinia. Rasti më ka sjellë të takoj shumë të rinjë shqiptarë që enden rrugëve të Europës në kërkim të fatit, njësoj si në filmat me ethe arit’ në përëndimin e egër.

Vragat e trishtimit i kishin një gisht të trasha, ndërsa kërkonin me dëshpërim një mundësi – që zakonisht nuk e gjenin kurrë. Të rinjë, shpesh në kufinjtë e adoleshencës, djelmoshat e drogës shëtisinin qytet më qytet në kërkim të fatit, derisa të përfundonin në burg ose në varr. Kjo është rruga e vetme që u ofron atdheu i tyre.

Çdo shoqëri ka kriminelët dhe korruptuarit e vet, përfshirë edhe vendet përëndimore, por ndryshimi qëndron tek statistikat. Sepse statistikat bëjnë diferencën në çdo fushë të aktivitetit njerëzor, domethënë, përcaktojnë raportin mes të mirës dhe të keqes. Këtu e keqja na ka kapë për fyti dhe nuk po na lëshon prej 32 e dy vitesh.

Është shumë “interesante” mënyra se si të rinjtë përjashtohen apriori nga shumica e të drejtave themelore duke u kthyer në disa qenie të mjera që luftojnë për mbijetesë. Edhe këtu në punë hyjnë statistikat – nëse mund ta imagjinoni dot se çfarë mund të bëhej për të rinjtë e Shqipërisë nëse nuk do t’i tekej Edi Ramës që të digjte plehrat përmes 430 milion eurove. Ose të mbante si Ministër të Financave dhe zv-kryeministër tigrin Arben Ahmetaj. Ose, ose pafund, që të shuajnë çdo dëshirë për jetë.

Edi Rama sillet sikur po drejton punët në pronat e babës vet – ku prona është një fermë e madhe me kafshë – lopë, dema, derra, dosa, pula, laraska, dele, kuaj dhe gomerë. Dhe ai vendos; juve do t’u dërgoj në thertore, juve të tjerëve do t’u pamundësoj jetën në fermë se nuk jeni rentabël, juve do t’ua racionoj ushqimin, ndërsa juve rreckamana hani kryet e njëri tjetrit. Dhe ferma po shkon me shpejtësi drejt shuarjes, katastrofës.

Nëse ndokujt i shkon mendja ta sfidojë fermën e Edi Ramës, ai futet mes gardhesh, izolohet, i mbyllen shtigjet, degdiset. Askush nuk ka të drejtë as t’i thotë gjysëm fjale se Shqipëria nuk është ferma e tij, dhe ai nuk është Zoti. Nëse nuk u pëlqen ferma, janë të lirë ta braktisin atë, t’i bëjnë vetes derman. Dhe ata vetëm ikin, largohen.

Edhe opozita funksionon njësoj si ferma e Edi Ramës. Ata që janë në krye të saj nuk të lejojnë as të mendosh ndryshe, si për shembull të thuash se Sali Berisha nuk mund të jetë një alternativë edhe pas 32 viteve. Automatikisht ti shpallesh shërbëtor i Edi Ramës, armik, i shitur ose i blerë nga George Soros. Edhe opozita ka fermën e saj të cilën e drejton Sali Berisha. Paçka se është shpallur non-grata nga Departamenti i Shtetit dhe Britania e Madhe, ai përsëri nuk dorëzohet. Sali Berisha nuk e vret mendjen se me aktet e tij e shkatërroi Partinë Demokratike dhe varrosi shpresat e shqiptarëve për një opozitë euro-atlantike. Përndryshe, nëse është ashtu siç ai pretendon, nuk do të fuste flakën mes demokratëve.

Sali Berisha e di fare mire se ai nuk është zgjidhja, por problemi i Partisë Demokratike. Non-grata nuk do t’i hiqet kurrë, PD nuk do të bashkohet, nuk do të bëhet më e fortë, nuk do të mund kurrë Edi Ramën. Duket qartë se ai nuk ka interesa të tilla, as shqetësime të tilla. Atij i mjafton që në fermën e Edi Ramës të jetë ai kandidati për kryeministër.

Po qytetarët?

Vrafshin veten – nëse nuk e kanë vrarë akoma. Këtu mbretërojnë me rradhë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama. Që në vitin e largët 1992. Ky i fundit doli më kopil se dy të parët, duke ua krijuar rrethanat që të mbeten të kënaqur në rolin e opozitës. Mundësi të tjera nuk ka, në fermën e Ramës nuk mund të krijohen alternativa të reja.

Shqiptarët në shumicë dërrmuese nuk e duan Edi Ramën, madje nuk e duan as ata që e votojnë. Ata që i rrinë pas e bëjnë për interesa të tjera, jo për parime të thekura. Por në përqindjet statistikore – sepse statistikat bëjnë diferencën – rrethanat janë të atilla, sa nuk mundësojnë ndryshimin e realitetit. Për këtë një dorë të fortë ia jep Sali Berisha, veç pse ekziston. Fundi i fuqisë së tyre do të vijë ditën që të krijohet një parti politike pro-shqiptare dhe euro-atlantike. Ose të shpëtohet Partia Demokratike nga Sali Berisha.

Deri atëherë, “rroftë” Edi Rama!