Kurora me lule dhe nderime pranë memorialit të ish-deputetit demokrat Azem Hajdari edhe këtë 23 vjetor nga vrasja e tij.

Ndryshe nga vitet e tjera, ku ceremonialit nuk i mungonte ish-lideri demokrat Sali Berisha dhe pasardhësi i tij Lulzim Basha, këtë përvjetor kreu i PD ishte i shoqëruar vetëm me disa nga drejtuesit e kësaj partie.

Në mesazhin e tij në Facebook, Basha shkuan se mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin i bashkon demokratët, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta.

“Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besim Çera.

Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa.

Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit.

Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë. I paharruar kujtimi i tij”, shkruan Basha.