Nga Arben MALAJ

Nuk ka trashëgimi më të madhe familjare kur ndjen respektin e njerëzve për familjen tënde. Kjo është kartolina më e bukur për vitin 2024 që sapo mora sot, e ruajtur për rreth 62 viteve.


Një njeri fisnik më ndaloi dhe më dhuroi këtë foto. E kishte porosi të papërfunduar me Svetlana Markun, që nga viti 2019.
Svetlana është vajza e gjeneralit Gjin Marku, i internuar në Llakatund. Gjin Marku dhe babi im kishin qenë partizan deri në maj të 1945 kur u khyen nga Kosova.
Gjin Markun e arrestuan në Llakatund dhe e pushkatuan(?!) Babain tim në 1956 e përjashtuan nga partia. Ky fat politik u përserit edhe me mua, kur, në 2013-n, rilndasit më përjashtuan vetëm burokratisht nga PS-ja…
Detyriumi im mirënjohes ndaj socialisteve të thjeshtë mbetet i përhershëm, i thellë, i sinqertë dhe i pa negociueshëm, ku parti të majta apo te së djathtës më bëjnë oferta për t’u riangazhuar nëpërmjet tyre në politiken shqiptare…
Svetlana dhe vëllai im Babushi kanë qenë shokë klase. Svetlana e ka mbajtur këtë foto, si kujtim të veçantë, që prej vitit 1962. Pra, bëhen rreth 62 vjet.
Ky nuk është një rast i vetëm që tregon rrënjët e këtyre vlerave humane në familjen tonë.
Vellai im Selam Malaj, i cili fatkeqësisht vdiq i ri, shërbeu si agronom sektori në Selenicë, ku sektori i bujqësisë ishte pjesë e Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund.
Edhe në ato vite të vështira, ai bëri të pamundurën për t’ua lehtësuar sadopak vuajtjet e rënda familjeve të të internuareve në bujqësi. Aty u internuan familja e Hiko Çakos, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Dashnor Mamaqit.
Nuk mund të harroj përqafimet e Kozeta Mamaqit, vajza e Dashnor Mamaqit, mamaja e të ndjerit Sokol Olldashi dhe telefonatat e dajos së tij pothuajse çdo vit.
Ne u takuam me Kozetën tre ditë para se të ndodhte aksidenti. Ajo u prezantua dhe me falënderoi përzemërisht për mirësinë dhe bujarinë e Selamit.
Nuk mund të harroj takimin spontan në kishën e Shën Gjergjit në Boston, kur mu afrua Çlirim Balluku, i cili m’u prezantua dhe më shprehu mirënjohje për Selamin.
Por nuk mund ta harroj as sms-në e Sokolit. Pasi mori vesh se unë isha vëllai i Selamit dhe përshtypjet e jashtëzakonshme të nënës së tij për të, ditën që më vdiq vëllai nga një sulmi kardiak, Sokoli më dërgoi SMS, ku më shkruante: “Beni i dashur, thonë se njerëzit e mirë jetojnë pak”. Ndoshta parandjente edhe të ardhmen e tij fatkeqe…
Në Llakatund erdhi si i internuar edhe Vaskë Gjini, i cili kishte një familje të mrekullueshme. Ai kishte qenë përfaqësuesi ynë në Traktatin e Varshavës… Në internim u detyrua të punonte në bujqësi, bënte kavaleta plehu organik. Me Elsën, gruan e tij, me Almën, vajzën që e donte shumë dhe me dy djemtë e tij takohemi jo shpesh në Boston.
Në Llakatund ishte internuar edhe inxhinieri i talentuar Feri Dishnica, me familjen e tij. Me Bekën dhe Faikun (Kikun) jemi miq të përhershëm.
Bebekën e kam takuar shpesh në Boston, më ka bërë përshtypje fisnikëria dhe përkushtimi i saj për të ndihmuar çdo shqiptar dhe Llakatundas. Ajo ishte një studente e shkëlqyer, por fati nuk ishte me familjen e saj…
Ajo nuk shprente asnjë ndjenjë hakmarrjeje…, por vetëm dashamirësi maksimale. Punonte tre turne për të mirë-arsimuar djalin e saj si një shkencëtar në gjurmët e të dy gjyshërve të tij, por pak më afër gjyshit nga Vlora Xhelo Murra, një shkencëtar i respektuar edhe sot.
Ju e ndjeu këtë fisnikëri familjare edhe në 1982 kur fitova të drejtën për të studiuar në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, Dega e Financave.
Unë isha fëmija i tretë nga një familje e thjeshtë që para viteve ’80 do të merrte një arsim universitar. Ne jemi një familje me shumë fëmijë. Pasi financuan shkollimin e dy vëllezërve të parë, Selamit (shkollën e mesme bujqësore në Delvninë dhe Universitetin Bujqësor në Tiranë) dhe Muhametit/Babushit (shkollën e mesme bujqësore në Çlirim të Fierit dhe Universitetin Bujqësor në Korçë), prindërit e mi e patën të pamundur për të mbështetur financiarisht arsimimin tim universitar…
I kuptova plotësisht dhe po shikoja opsionin e dytë për të shkuar në ushtri dhe për të ndjekur më pas fakultetin e ekonomisë. Më dukej se ishte shkruar diku se “do të shkollohesha vetëm duke punuar në bujqësi dhe duke ndjekur shkollën e mesme pas punës”… Kështu, mbarova shkollën e mesme ekonomike pranë gjimnazit Halim Xhelo duke punuar 6 ditë nëjavë në fermë dhe duke ecur rreth 7000 km rrugë në këmbë… Gjatë viteve 1978-1982 në linjën Llakatund-Vlorë-Llakatund, tre herë në javë dhe rreth 42 javë në vit ose rreth 168 javë, për katër vjet.
Në këtë diskutim familjar nuk ndjeva asnjë pakënaqësi sepse i dija sakrificat që bënte familja ime për arsimimin tonë më të mirë… Dhe fatmirësisht isha i ri dhe i aftë për të përballuar universitetin edhe duke punuar në bujqësi…
Para se babai të mbaronte fjalën, Selami dhe Babushi, edhe pse të martuar, kishin familjet e tyre, i garantuan babait se do të financonin ato 4 vite të shkollimit tim në Tiranë.
Tarifa mujore në fakultet ishte 300 lekë/3000 lekë të vjetra. Çdo pagesë erdhi në kohë. Dy vëllezërit e mi dhe familjet e tyre kanë paguar afërsisht 25% të pagës së tyre për katër vjet rresht. Them 25%, sepse rroga më e lartë për një agronom ishte rreth 600 lekë në muaj dhe më paguanin 150 lekë çdo muaj secili.
Kjo është trashëgimia më humane e të parëve tanë, të cilën ju kërkoj ta ruani për të gjithë brezat e ardhshëm. Mos bini viktimë e instinktit për t’u pasuruar shpejt dhe mos u bëni viktimë e sëmundjeve të përhapura dhe të rrezikshme sociale…!
Gëzuar Vitin e Ri 2024!!
Sa më shumë mirësi dhe fisnikëri për çdo shqiptar!
Pa këto dy vlera humane jetike, edhe nëse ju/ne bëhemi të pasur materialisht, ju/ne do të jemi shumë të varfër shpirtërisht.
Dilema “Sokrati vuajtur apo derr i kënaqur” është dilema që ndjek ata që kanë mundësi të (keq)përdorin mandatet politike, sidomos për të pangopurit dhe të babëziturit.
Serish ju uroj: Gëzuar Vitin e Ri!
Qofshin të bekuar shqiptarët kudo në botë ku jetojnë, punojnë e marrin arsim të mirë!

Mirënjohje
Arbeni