(Shënime për përkthimin në shqip nga Vasil Klironomi të librit «Kthimi i Ifigjenias» të Jani Ricos-it)

Nga Stefan MARTIKO

Befas u gjenda para një të papriture kur lexova në gjuhën shqipe poemën «Kthimi i Ifigjenias». M’ u soll ndër mend poema tjetër e Ricosit e lexuar prej gati 50 vjetësh më parë, përkthyer mrekullisht prej Spiro Çomorës. «Kthimi i Ifigjenias» kish pushtuar kështu krejt qenien time. Si rrallëherë, ndodh t’i japësh udhë kaq shpejt një dileme. Ishte Ricosi përballë meje dhe përkthyesi modest, poeti Vasil Klironomi. Të dy të ngjizur në një kryevepër ku dy gjuhë ishin tretur te njëra-tjetra. Sepse ishte poezia në mes, ajo që na detyron të përulemi dhe ata që e mbartin atë kthehen në misionarë e udhërrëfyes. Kthimi i Ifigjenias tingëllon si një përrallë moderne që nuk nxiton të tregohet në një natë të vetme dimri. Ajo ka vetë përmasën e kohës. Trondit të sotmen që ka nisur një udhëtim të gjatë nëpër të shkuarën duke e mbrojtur kështu prej rrezikut të harresës. Kjo është poema e Ricosit, e këtij uragani që nuk i vuri dot kufi fjalës. Lumi i tij i rrëmbyeshëm ndanë brigjeve, përcolli uturima vorbullash e ndërkryerjesh që vetëm një talent e mendje si e Ricosit mund t’i disiplinonte për të urtësuar dhimbjet. Tani tingujt grekë të poemës tingëllojnë shqip. Sa ritme të pabesë përthyejnë vargun dhe surrealizmi i poetit bëhet tejet njerëzor. Gjendje shpërthyese që ashtu si tani në shqip i kanë shpërthyer pengesat e çdo gjuhe tjetër. Klironomi përmes leximit, poemës më parë i kish përgatitur një shtrat mirëseardhjeje. E pa nga afër dhe larg, me lupë dhe sy. Kjo, e kish çuar drejt një porte prej nga poema po hynte në gjuhën shqipe, për tu pritur me përzemërsi prej saj.

Në këtë skicim për te gjuha tjetër fillin e tërheq pas poeti ndërsa përkthyesi i ndërthur ato me mjeshtëri për të sjellë frymën autentike të saj. Dhe vjen një çast kur «Kthimi i Ifigjenias» bëhet gati e papërballueshme. Në ndonjë rast përgjatë leximit më bëhej se gjendesha para një ngërçi, por papritur poema shpërthente në vargun tjetër. Skajet e çdo fjale shtyheshin dhe fjala përmes donatorëve inteligjentë do të sillte shpërthime të tjerë më të fuqishëm. Një përkthyes gjendet midis dy gjuhëve, por ai nuk mund të tërheq më tepër njërin fill, sepse rrezikon për të këputur lidhjet me fillin e gjuhës tjetër. Pas kalimit të fjalëve te gjuha mikpritëse vetëm përkthyesi e di si mund të përcillet me po atë fuqi dhe energji për mendje dhe zemra të tjera. Një poemë e vështirë që mbart shumë rreziqe për një përkthyes. Realizmi dhe surrealizmi, të dy këto shtresime brenda poemës së Ricosit, shkrihen te njëra-tjetra për të arritur në një simbiozë moderne të perceptimit të realitetit. Një e folur e figurshme që i kapërcen në mënyrë të natyrshme vështirësitë e përkthimit, sepse është vetë drita e poezisë që e udhëheq përkthyesin drejt hapjes së një shtegu të ri. Vasil Klironomi ia ka arritur kësaj përmes një përjetimi të thellë, gjetje të ca çelësave përmes të cilëve përkthyesi ynë ka mundur të hyjë nëpër të fshehtat e poemës.