Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar shqiptarët e Malit të Zi që të dalin në zgjedhjet e së dielës. Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, Thaçi shkruan se kontributi i shqiptarëve krijon paqe dhe stabilitet jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Shqiptarët në Mal të Zi duhet të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës. Ato përbëjnë një moment tejet të rëndësishëm për vazhdimin e forcimit të orientimit euroatlantik të shtetit tonë mik. U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor”, shkruan Thaçi.

Zgjedhjet parlamentare në shtetin e Malit të Zi do të zhvillohen më 30 gusht, ndërsa partitë shqiptare janë bashkuar, duke krijuar kështu një frymë uniteti tek popullsia shqiptare.

Kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve Mehmet Zenka, i cili bën pjesë në një koalicion prej 5 partish, dhe njëkohësisht ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet në kabinetin aktual të Malit të Zi, tha në një intervistë për Euronews Albania, se ndarja në vetëm dy formacione zgjedhore konsolidon votën e shqiptarëve.

“E mira e këtyre zgjedhjeve sa u përket shqiptarëve është se nuk janë duke dalë në 3 apo 4 kolona, ku janë treguar pasojat paszgjedhore me djegien e votave. Këtë herë nuk do të kemi djegie të votave”, tha ai.