Tiranë – Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të së martës. Rreth orës 01:45 gjatë patrullimit të policisë në rrugën “Dritan Hoxha” (Laprakë), një punonjës policie ka qëlluar për vdekje me armën e shërbimit 25-vjeçarin, Klodjan Rasha.

Burimet policore kanë bërë me dije se i riu po kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte, por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e punonjësit të Policisë për të ndaluar, Rasha është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri. “I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital“- thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Paraditen e sotme familjarët e viktimës kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe pretendojnë se i riu nuk kishte pasur armë zjarri me vete, përveç dy kokrra hurme që kishte marrë kur kishte dalë nga shtëpia.

Sipas tyre 25-vjeçari nuk ka pasur asnjë problematikë, përveç faktit që në 2016-ën ishte akuzuar nga policia për heqje të paligjshme të lirisë.

Xhaxhai i Klodjan Rashës tha për mediat se fillimisht ata janë njoftuar se i riu është arrestuar, ndërsa më pas kanë marrë lajmin për vdekjen e tij.

“Më kërcënoi dhe iku me vrap”, mësohet të ketë thënë efektivi në komisariat.

Por nuk kuptohet ende cila është arsyeja e reagimit të tij ekstrem. Sipas rregullores së policisë, kjo e fundit mund të vrasë në situata shumë specifike, kur nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër reagimi.

Përgjithësisht policia reagon kaq rëndë ose kur i rrezikohet jeta policit, ose (kjo prapë në varësi të shumë rrethanave) kur ka arratisje me shkëmbim zjarri nga vendngjarje krimesh të rënda.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka konstatuar sot se vrasja e të riut Klodian Rasha nga efektivi i policisë, është vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.

Në një njoftim për mediat, duke dhënë detajet e ngjarjes, SHÇBA sqaron se nga hetimet paraprake është dalë në përfundimin se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit.

Polici N.H., sipas raportit, nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Hetimet lidhur me ngjarjen vijojnë.

Shqetësuese është që ngjarja e fundit vjen pas një serie incidentesh të raportuara policore në tejkalim të të drejtave të saj në raport me komunitetin. Kjo sjellje shton klimën e dhunës dhe depresionin social, edhe kështu shumë të lartë në vend.

Vetë policia ka dhënë versione të ndryshme për ngjarjen, duke pranuar fillimisht se viktima nuk kishte armë dhe se nga mungesa e ndriçimit ishte dukur një send tjetër si e tillë, deklaratë që e rrëzoi vetë pak më vonë.

Mësohet gjithashtu se Prokuroria e ka përjashtuar Policinë nga hetimi i ngjarjes, çka hedh më shumë hije dyshimesh mbi rrethanat e asaj çfarë ka ndodhur.