Politika shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri është shprehur në mbështetje të Hashim Thaçit, vendim i ardhur pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale e Hagës.

Reagimi i parë ka ardhur nga qeveria e Kosovës ku përmes një deklarate zyrtare shprehet mbështetja e plotë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, ndërsa theksohet askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë.

Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”, thuhet mes të tjerash në këtë deklaratë.

Haradinaj: Bashkëluftëtarët e UÇK-së duhet të kenë përkrahje pa rezerva

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook fton popullin dhe qeverinë e Kosovës të mbështesin bashkëluftëtarët e tij që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duke besuar në pafajësinë e tyre.

“Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.

Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”, shkruan mes të tjerash Haradinaj.

Limaj: Vetëm të bashkuar përballemi me dinjitet ndaj sfidave

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Limaj shprehet se ka besimin e plotë se bashkëluftëtari i tij, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe të gjithë̈ të akuzuarit tjerë̈, luftën e UÇK-së do ta mbrojnë̈ në mënyrë dinjitoze dhe në fund do të dalin faqebardhë nga ky proces gjyqësor.

“Vetëm të bashkuar dhe duke vënë në rend të parë interesat e shtetit të Kosovës, ne do t’i përballojmë me dinjitet të gjitha sfidat me të cilat jemi të ballafaquar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Limajt.

Meta: Besoj në pafajësinë e Thaçit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar aktin e dorëheqjes së Thaçit nga posti i presidentit për të mos u ballafaquar me akuzat.

Përmes një postimi në Facebook, Meta thekson se beson ne pafajësinë e Thaçit dhe gjithë bashkëluftëtarëve.

“Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, ka shkruar Meta.

Rama: Thaçi ka mbështetjen e të gjithë Shqipërisë

Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj aktakuzës së konfirmuar ndaj presidentit tani më i dorëhequr, Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Twitter, Rama ka shkruar se Thaçi ka gjithë solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën.

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, ka shkruar ai në Twitter.

Basha: Aktakuzat ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të pabaza

Edhe kryedemokrati Lulzim Basha reagoi pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit të Kosovës. Përmes një statusi në Facebook, kreu i PD shprehet se akuzat ndaj luftës së UÇK janë të padrejta dhe shpreh bindje se shumë shpejt do të vërtetohet pafajësia e tyre.

“Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës”, shkruan ndër të tjera kreu i PD.