Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kualifikuar me 5 vota pro e 4 kundër kandidatin nga radhët e jo gjyqtarëve Darjel Sina për në Gjykatën e Lartë.

Darjel Sina që aktualisht shërben si Komisioner Publik, ishte i vetmi kandidat në garë për vakancën e hapur në Gjykatën e Lartë.

“Në përfundim të procedurave të verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore, pasurisë dhe figurës, të kandidatit të katërt për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, z.Darjel Sina, Këshilli vendosi kualifikimin e tij si dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, pas kryerjes së verifikimit të plotë të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatit z.Eriol Roshi dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën Administrative të Apelit”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së.

9 anëtarë votuan për Darjel Sinën teksa kanë munguar Fatmira Luli dhe Alban Toro që kanë dhënë dorëheqje më parë nga kjo çështje për shkak të konfliktit të interesit.

Tashmë KLGJ pritet të përfundojë pikëzimin për Sinën dhe t’i hapë rrugë emërimit të tij në Gjykatën e Lartë.