Cilat janë pasuritë e liderit të Rusisë? Në faqen e internetit të Kremlinit deklaron pak prona. Por ka nga ata që vlerësojnë se ai ka “200 miliardë dollarë”. Rrjedhjet e shumta të informacionit duket se aludojnë për pasuri të pafundme që zotërohen nga njerëzit e afërt të tij. Ashtu si vila faraonike në Detin e Zi të zbuluar nga opozitari Aleksi Navalni

Irene Soave – Corriere della Sera

Tani që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë se do ta godasin Vladimir Putinin drejtpërdrejt “me sanksione edhe personale” në rast se Rusia pushton Ukrainën – por zëdhënësi i Kremlinit tashmë është përgjigjur se “nuk do të ndodhë asgjë” – po ngrihet pyetja personale: pasuria e presidentit rus.

Për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe diplomacitë perëndimore, është e padiskutueshme – megjithëse e vështirë për t’u përcaktuar – se pasuritë e Putinit janë asgjësuar dhe në çdo rast janë shumë më të mëdha se sa deklaroi Kremlini.

Në vitin 2017, në një seancë dëgjimore në Senatin Amerikan, pasuria e tij personale u vlerësua në “200 miliardë dollarë para të pista” të fshehura në vitet e pushtetit absoluti.

Një pasuri që ndoshta do ta bënte njeriun më të pasur në botë, nëse sot, katër vite më vonë, titulli “zyrtar” i shkon Elon Musk me 238 miliardët e tij. Megjithatë, pasuria e Putinit është si feniksi proverbial: “që ekziston, e thonë të gjithë”, por nga vjen, sa është dhe mbi të gjitha ku është, ende nuk dihet, edhe pse shumë nga rivalët e tij dhe kundërshtarët – nga Obama te Navalni –  u përpoqën të hetonin.

Pasuria e deklaruar nga Putini (dhe ato të fshehura jashtë vendit)

Kremlini, nën petkun e “transparencës”, deklaron pasuri dhe të ardhura modeste për një kryetar shteti. Një pagë publike rreth 130 mijë euro në vit (shifra 2020). Një apartament 77 m2. Një garazh 18 metra katrorë, dy makina “Volga GAZ” e “M21” të cilësisë së mirë, një fuoristradë “Lada Niva”, një rulotë.

“Të gjitha këto asete, domethënë të gjitha pronat e Putinit, ndodhen në Rusi”, thuhet në deklaratë.

Pak në botë e besojnë atë. Edhe së fundmi, një diplomat britanik në “London Times”, flet për “Londongrad”, duke aluduar për vendosjen e një pjese të pasurisë së fshehur nga rrethi i presidentit në investime dhe prona të paluajtshme në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, me ” mbrojtje thelbësore” të qeverisë konservatore, e cila gjithashtu merr donacione të mëdha nga Rusia (2 milionë paund nga donatorët rusë vetëm në vitin 2019).

I vetmi vlerësim ekzistues (asnjëherë i shpjeguar): asete prej 200 miliardë lekë

Në një seancë dëgjimore të vitit 2017 në Senatin e SHBA-së, super-sipërmarrësi Bill Browder (i cili u bë kritik i Kremlinit pas një jete në krye të një prej fondeve më të mëdha të investimeve në Rusi, “Hermitage Capital Management”), vlerësoi pasurinë personale të Putinin në 200 miliardë dollarë, të fshehura me zgjuarsi jashtë vendit. Por ai kurrë nuk shpjegoi se si është llogaritur ky vlerësim i tij.

Ekziston një ndjenjë e përgjithshme – e nxjerrë në pah në shtypin anembanë botës këto ditë pikërisht nga deklarata e Biden për “sanksionet personale” – se pasuria e Vladimir Putinit është, për këdo përveç tij, thelbësisht e pamatshme dhe e pagjurmueshme dhe megjithatë, kryesisht e fshehur jashtë vendit të tij.

Vila 1.1 miliardë euro në Detin e Zi: të ardhura nga një maksi-ryshfet

Megjithatë, edhe midis pronave të deklaruara vetëm në Rusi, lista e Kremlinit nuk është e plotë. Është, për shembull, vila faraonike në Detin e Zi në Gelendzhik, ekzistenca e së cilës u zbulua një vit më parë nga dronët e “Rrjetit Antikorrupsion” të kundërshtarit Aleksei Navalni.

Mbi vilë, janë disa kilometra katrorë të “zonës së ndalim-fluturimit”, dhe pallati, 14,000 metra katrorë në Gelendzhik, në Detin e Zi, është pothuajse më shumë një shtet i pavarur sesa një rezidencë pushimi.

Pallati ndodhet i rrethuar nga një zonë kundërajrore, me gardhe të pathyeshme me postblloqe, një port, me rojet e tij dhe një kishë.

‘Versaja e Gelendzhik’ është e rrethuar nga prona që po të mblidhen, janë 39 herë më të mëdha se Monako, duke përfshirë 7,500 hektarë park, vreshta dhe madje edhe ferma dhe rezervuarë.

Parku dhe rrethinat e tij menaxhohen nga askush tjetër përveç Shërbimit Federal të Sigurisë së Federatës Ruse, një organ special i sigurisë i lindur në hirin e KGB-së, president i së cilës ishte edhe Putin.

Mobiljet, sipas asaj që u filtrua nga kontraktorët – duke përfshirë kompanitë artizanale italiane “Pozzoli” dhe “Citterio Atena” – ishin po aq faraonike. Vilës, “princi” i opozitarëve në Rusi, Navalni, i kishte kushtuar madje një faqe, “palace.navalny.com”, ku mund të lundrohet virtualisht në rikonstruksione të dokumentuara dhe dhjetëra foto satelitore të objektit, të marra nga stafi kundërshtar “me shumë vështirësi”.

“Është sekreti më i madh i Rusisë”, shkroi Navalni një vit më parë. Vila do të kushtonte 1.1 miliardë euro dhe i është dhuruar Putinit si një maksi-ryshfet. Hetimi i Navalnit, rindërton në detaje historinë e pronave të vilës, duke renditur figurat e ndryshme të ngarkuar për mirëmbajtjen e pallatit  dhe lidhjet e tyre përkatëse me Putinin.

Formalisht, ndërtesa do t’i përkiste biznesmenit Alexander Ponomarenko. Por asnjë pronar biznesi nuk ka një zonë ndërkombëtare të ndalimit të fluturimeve në vilën e tij, ose nuk mburret me rojën presidenciale si siguri.

Njëzet vila, 15 helikopterë, 43 avionë, dy jahte: hetimi nga Boris Nemtsov

Tashmë në vitin 2021, kundërshtari Boris Nemtsov – i vrarë më vonë – kishte hartuar një hetim mbi pasurinë sekrete të Putinit, të titulluar “Jeta e një skllavi: pallate, jahte, makina, aeroplanë dhe aksesorë të tjerë”.

Sipas hetimeve të Nemtsov, të cilat kurrë nuk u mohuan realisht, presidenti zotëronte atëherë – “ato janë pasuri në dispozicion të tij”, ishte mbrojtja e Kremlinit – njëzet prona të patundshme, duke përfshirë vila dhe pallate, 15 helikopterë, 43 avionë, dy jahte, ku njëri prej tyre me kuvertë e me banjë mermeri.

Nga gjithë ky luks, pasioni për orët ishte i dukshëm për publikun: një “Patek Philippe” me kalendar të përhershëm, me të cilin fotografohej shpesh, një koleksion “Blancbain Aqua Lung Grand Date”, një “Lange & Söhne Tourbograph” (nga 500 mijë euro).

Ai i vë në dukje dhe i promovon: i dha një punëtori një “Blancpain Aqualung” prej 10,000 eurosh, ndërsa ai po vizitonte fabrikën dhe një tjetër të ngjshme ia dha një fëmije siberian në vitin 2009.

Tre vjet pas hetimit, në vitin 2015, Nemtsov – ish-zëvendëskryeministër gjatë presidencës Jelcin – u vra në publik në Moskë pas darkës nga pesë çeçenë.

Miku violinçelist dhe zbulimet e “Panama Papers” dhe “Pandora Papers”

Edhe në skandalin “Panama Papers” – rrjedhja e dokumenteve nga një firmë juridike panameze me të cilën Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues bëri publike llogaritë sekrete të të fuqishmëve të botës në vitin 2016 – ka zbulime për miliardat e hedhura fshehurazi nga Vladimir Putin në vitet e pushtetit absolut.

Një shifër duket të jetë kyçe: ajo e violonçelistit të Shën Petersburgut, Sergej Roldugin, një shok fëmijërie i presidentit dhe një “rojtar” i vërtetë, siç duket, të paktën dy miliardë dollarë në emër të tij.

Konsorciumi Ndërkombëtar, i ka atribuar një jetë të dyfishtë artistit: nga njëra anë, një muzikant dhe profesor modest, por i famshëm; nga ana tjetër, sundimtar i një perandorie “offshore”.

Katër kompani i atribuohen Roldugin, përmes të cilave qarkullonin dhjetëra miliona rubla në ditë, që u përkisnin oligarkëve rusë të “rrethit magjik”. Këto para do të përdoreshin më pas për transferta të dyshimta, blerje strategjike për vendin ose ndërtime. Në “Panama Papers”, megjithatë, nuk ka “armë të drejtuara” kundër Putinit. Vetëm të dhëna, siç përmbledh “Novaya Gazeta” (e cila është pjesë e ICIJ), për një “pasuri të pashpjegueshme”.

“Vajza e fshehtë” dhe zbulimet e “Pandora Papers”

Më “përziera”, edhe pse po aq indirekte, janë zbulimet e “Pandora Papers”, në vitin 2021. Sërish nga ICI, rrjedhja rindërton thesaret në parajsat fiskale dhe kutitë kineze të shumë krerëve të shteteve, nga kryeministri çek Babis, te Tony Blair në Britani. Sigurisht që është i përfshirë edhe Putini.

Si gjithmonë, emri i tij nuk figuron në media, por ka nga ata të shumë burrave dhe grave më të afërt me të dhe që janë bërë “për mrekulli” shumë të pasur: mes tyre, Svjetllana Krivonogikh, e cila brenda pak vitesh, duke filluar nga vitet ‘90, u bë jashtëzakonisht e pasur, duke blerë jahte, apartamente dhe shtëpi në Moskë dhe Shën Petersburg (për një vlerë prej të paktën 100 milionë dollarë).

Krivonogikh ishte bërë e dashura e Putinit, me të cilin do të kishte edhe një vajzë. Pak javë pas lindjes së fëmijës, Krivonogikh do të bëhej përfituese e një kompanie ‘offshore’ që bleu një rezidencë me pamje nga deti në Principatën e Monakos për 3 milionë e 600 mijë dollarë.

Një marrëveshje e menaxhuar nga të njëjtët njerëz të besuar që ende punojnë për oligarkët më të afërt me presidentin Putin.

Si e grumbulloi Vladimir Putin një pasuri të tillë

Shkurtimisht, zbulimet periodike mbi “pasurinë e vërtetë” të Putinit, ndjekin njëra-tjetrën rregullisht që nga vitet e para të njëzet viteve të tij në pushtet. Gjithsesi, shtrirja e vërtetë e trashëgimisë së tij është e kufizuar, ku disa teori mbi gjenezën e kësaj trashëgimie janë zhvilluar midis vëzhguesve.

Analistët financiarë të revistës “Forbes”, për shembull, flasin për “Modelin Khodorkovsky”, të quajtur sipas ish-pronarit të kompanisë së naftës “Yukos”, Mikhail Khodorkovsky, i cili më vonë u burgos, u internua dhe u kthye në kundërshtar të madh të kreut të Kremlinit.

Në kulmin e pasurisë së tij, Khodorkovsky zotëronte një pasuri personale prej 3.7 miliardë dollarësh dhe ishte më i pasuri në Rusi. Një vit më vonë, ai u arrestua dhe pasuria e tij ngriu. Zakonisht besohet se pasuritë e tij kanë kaluar drejtpërdrejt në duart e presidentit.

Është përsëri Bill Browder, ai që rrëfen personalisht “paktin me oligarkët” të bërë nga Putini pas arrestimit të Khodorkovsky-t: presidenti do të priste 50% të të ardhurave të tyre nga oligarkët e vendit. Kushdo që refuzon, përfundon në burg dhe – si Khodorkovsky – përfundon duke i dhënë atij 100%.

Nga një numërim i ngjashëm do të vinte, për shembull, vlerësimi i pasurisë së Putinit: 200 miliardë që Broëder kishte hipotezuar në seancën dëgjimore të Senatit Amerikan të vitit 2017, do të ishin saktësisht gjysma e shumës së përgjithshme të aseteve të oligarkëve.

Teoria “e miqve”

Një tjetër teori është ajo e ekonomistit suedez, Anders Aslund, i cili në vitin 2019 shkroi “Russia’s Crony Capitalism”, (Kapitalizmin i Miqve të Rusisë), afërsisht “kapitalizmi rus i xhelatëve”.

Ashtu si pasardhës të mafies, miqtë dhe familjarët e presidentit, madje edhe punonjësit e tij, truprojat, njerëzit e shërbimit, janë pikërisht ata që bëjnë “punë të pista”, zotërojnë mallra, shkelin rregullat. I bën të begatojnë dhe në këmbim, kërkojnë një “shpërblim”.

Secili ka asete personale shumë të larta për një rus të zakonhëm, por jo të tepruara: Putini mban tek secili prej miqve të tij, nga 500 milionë deri në 2 miliardë dollarë.

Një shembull i përsosur është ish-partneri i tij në xhudo, Arkady Rotenberg, i cili mori kontrata miliarderësh për pothuajse të gjithë furnizimin e Lojërave Olimpike të Soçit. Ose ish-dhëndri, Kirill Shamalov, një drejtues i shkëlqyer i bankës së investimeve “Gazprombank”. Ose Sergei Roldugin, i përmendur tashmë.

Po sikur Putini me të vërtetë të mos zotëronte (pothuajse) asgjë?

Por ka edhe nga ata që argumentojnë se Putini me të vërtetë nuk zotëron shumë, në mënyrë rigoroze, përveç pronave të deklaruara në faqen e internetit të Kremlinit.

Çdo gjë tjetër do të ishte realisht në pronësi të të tjerëve, ose do të disponohej si një aset qeveritar, nga jahtet deri te avionët. Të gjitha zbukurimet e një pushteti absolut që ai në fakt ushtron; asgjë në të vërtetë i tij.

Disa analistë, janë të mendimit se fuqia e Putinit është aq e madhe – duke përfshirë fuqinë për të shitur aksione, apo kompani të tëra, me kërcitjen e gishtave të tij – saqë ai me të vërtetë mund t’i bëjë njerëzit të besojnë se është shumë i pasur, por në realitet nuk është.

Obama nisi ta hetojë pasurinë e Putinit

Barack Obama, kur në fund të vitit 2016 i kishte premtuar Putinit “një hakmarrje” për ndërhyrjen flagrante ruse në votim në Shtetet e Bashkuara, ishte këshilluar nga analistët e tij të inteligjencës për të bërë publike pasurinë e madhe të Putinit.

Megjithatë, ky operacion – të paktën publikisht – nuk u zhvillua kurrë dhe mendimi i shumë vëzhguesve ishte se Shtetet e Bashkuara nuk donin të “nënshkruanin” një fushatë të këtij lloji, duke e bërë atë më pak të besueshme në sytë e vetë rusëve, se zbulimi i pasurisë së “sovranit” të tyre, duhet të ishte i tepruar.

Nuk do të kishte qenë një hakmarrje e madhe, analizuar shumë të tjerë: rusët ishin të vetëdijshëm për korrupsionin e klasës së tyre sunduese dhe lloje të ndryshme hetimesh (Nemtsov, Panama Papers), kishin treguar tashmë se Putini ndoshta po shpërndante një pasuri të madhe në hije.

Në përgjithësi, pëlqimi i “Carit” nuk dukej se u lëkund. Tani, Joe Biden ka premtuar – pa specifikuar më tej – “sanksione personale” mbi pasurinë e Putinit, nëse ai vendos, “sepse vendimi i takon vetëm atij”, të pushtojë Ukrainën.

Kërcënimi nuk është detajuar mirë dhe nuk është e paimagjinueshme që ai të bazohet në informacionet e inteligjencës të marra vitet e fundit, të mbajtura si një armë sekrete për t’u përdorur “në momentin e duhur”.