Një aksident që reflekton botën në të cilën jetojmë

Vdekja e fotografi të njohur në Francë ka hapur polemika.

“I vrarë nga indiferenca” janë fjalët kyçe të shumë titujve të mediave në Francë pas një ngjarjeje të rëndë e cila ka shkaktuar zemërim.

Fotografi René Robert ndërroi jetë nga hipotermia pasi u rrëzua në një rrugë dhe u injorua për nëntë orë. Hipotermia shkaktohet nga ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave shumë të ftohta.

Fotografi zviceran i njohur për fotografitë e tij për disa nga yjet më të famshëm të flamenkos në Spanjë, ndërroi jetë javën e kaluar pasi rrëshqiti gjatë një shëtitje në një lagje të Parisit, goxha të popullarizuar.

“Ai pësoi një marrje mendsh dhe ra”, tha miku i tij, gazetari Michel Mompontet në një seri postimesh në Twitter. “Në pamundësi për t’u ngritur, ai qëndroi në vend, në të ftohtë për nëntë orë derisa një person i pastrehë lajmëroi shërbimet e urgjencës. Shumë vonë. Ai kishte hipotermi dhe nuk mund të sillej në jetë. Gjatë këtyre nëntë orëve asnjë kalimtar nuk u ndal për të parë pse ky njeri ishte shtrirë në trotuar. Asnjë.”

Mompontet, i cili gjithashtu tregoi rrethanat e vdekjes së fotografit në France TV Info, tha se Robert ishte “vrarë nga indiferenca”, duke shtuar: “Nëse kjo vdekje e tmerrshme mund të shërbente për ndonjë qëllim, do të ishte ky: kur një njeri është i shtrirë në trotuarit, ne duhet ta kontrollojmë – pa marrë parasysh sa të zënë mund të jemi. Le të ndalemi për një sekondë.”

Shoqata Olivar, e cila ka punuar me të rinjtë e pastrehë në Madrid për më shumë se 30 vjet, tha se ishin të pikëlluar, por jo të befasuar. “Shumë njerëz po flasin për historinë e tmerrshme të René Robert. Por realiteti është se kjo është përvoja mizore, e përditshme e atyre që jetojnë dhe vdesin në rrugë. Çfarë po ndodh me ne si shoqëri që mund të ndodhë diçka e tillë?”, shkroi shoqata në Twitter.