Një grup prokurorësh belgë zhvilluan takime të njëpasnjëshme në SPAK dhe në prokurorinë e Tiranës në kuadër të një procedimi të regjistruar prej tyre. Bëhet fjalë për hetimet për 3.4 milionë euro të gjetur në dy makina Toyota Yaris në vitin 2018 në Portin e Durrësit.

Ndërkohë, Lulzim Basha ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje nga tre prokurorët belgë në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”.

Basha merret në pyetje për shkak të deklaratës së bërë prej tij në Kuvend, kur iu drejtua kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Qesh ti qesh, zgërdhiu! Ai që po zgërdhihet më shumë ka qenë para tri ditëve në Shqipëri. Ai zgërdhitësi ka marrë “Toyta Yaris”-in. Por t’u zbulua Toyota”, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Sepse zgërdhitësi thoshte s’kemi probleme, s’kemi drogë, reformat po ecin, krimi po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar e nuk ka nevojë ta thotë opozita”, deklaroi Basha.

Çështja u bë objekt debati edhe sot në Kuvend, për shkak se çështja u denoncua publikisht nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përpara se paratë të sekuestroheshin në Durrës.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja aludoi se Basha po i shmanget hetimit: “Je në rregull. Unë nuk i shmangem drejtësisë as me procedurë, as me raporte mjeku dhe as nuk i injoroj thirrjet që vijnë nga çdo autoritet gjyqësor brenda dhe jashtë vendit”.

Kryedemokrati u përgjigj duke i kujtoi Manjës dënimin e ish-ministrit Tahiri dhe dosjen 184, ku ai shfaqet në përgjimet e prokurorisë: “Kujtohu pak për ish-kolegun tënd, ministrin e Brendshëm, dhe kapërdisjen e tij, majë më majë, shesh më shesh, madje edhe rrugëve të botës. Mendohu mirë Ulsi Manja, se për momentin mund të të duket vetja i përkëdhelur, i mbrojtur, por harroje ti se nuk do të vijë dita që të japësh llogari edhe ti me pjesën tjetër të bandës së strukturuar kriminale për dosjen 184”.

Për dosjen e njohur si “Toyota Yaris” në Shqipëri është dënuar vetëm Ervis Vladi për akuzën e mosdeklarimit të të hollave në kufi, teksa autoritetet belge i shtrinë hetimet më tej duke kërkuar në 2019 edhe dëshminë e kreut të PD Lulzim Basha.