Dy muaj më parë një prej shumë hyrje-daljet e paautorizuara në autostradën Milot – Morinë u mbyll nga punonjësit e kompanisë koncesionare por banorët e fshatit Mashterkor në Mirditë, të cilët përdornin këtë pikë për udhëtimet e tyre, thonë se në mungesë të rrugëve dytësore, mbyllja e saj shkaktoi vështirësi të mëdha për ta. Alternativa e aksesit në autostradë vijon përgjatë një rruge të paasfaltuar për tridhjetë kilometra deri në kryqëzimin pranë fshatit Fan. Por sikur të mos mjaftonte kjo, një segment i rrugës së paasfaltuar së fundmi u rrëmbye nga lumi Fan duke e lënë fshatin praktikisht të izoluar. Autoritetet thonë se janë duke e shqyrtuar problemin me emergjencë por për momentin, një zgjidhje konkrete nuk ka.

Simon Lleshi nga ky fshat i tha BIRN të martën se aksesi i tyre në rrugën e Kombit u mbyll dy muaj më parë pa marrë parasysh se si do të lidhen këto banorë me autostradën.

“Siç e shikoni, unë e kam shtëpinë fare pranë rrugës së kombit, por duhet të udhëtoj gjatë për t’u lidhur me Rrugën e Kombit,” tha Lleshi duke shpjeguar se pika më e afërt e aksesimit të autostradës nga fshati i tij është 30 kilometra më tutje dhe të 30 kilometrat janë rrugë e paasfaltuar fshati.

Lleshi thotë se pika e hyrje-daljes në autostradë nga ky fshat ka funksionuar si e tillë që nga viti 2009 kur rruga u ndërtua për herë të parë ndërsa mbyllja e saj përbën në praktikë një izolim pothuajse të plotë të fshatit të vogël me tridhjetë familje.

Rruga dytësore, e cila në një farë pike të shpie në autostradë, vijon përgjatë shtratit të lumit Fan dhe në periudhë shirash ajo zhduket fare.

“Kemi dy javë që nuk lëvizim dot,” thotë Dritan Gjeta, banor i zonës. Sipas tij, nëse autoritetet vendosin të mbyllin hyrjen e fshatit në autostradë, atëhere duhet së paku të asfaltojnë rrugët dytësore.

Rruga e Kombit u ndërtua në vitete 2007-2010 përmes maleve të Mirditës dhe të Kukësit si një autostradë me katër korsi. Përgjatë punimeve të ndërtimit, kompania ndërtuese hodhi zhavorr në një rrjet rrugësh të vogla aksesi që shkojnë përgjatë autostradës por këto rrugë nuk u asfaltuan kurrë dhe banorët e dhjetë fshatrave përgjatë rrugës duket se gjetën zgjidhje të ndërmjetme të hynin në autostradë përmes pikave të paautorizuara të aksesit.

Gjovalin Ndreca, një shofer furgoni, thotë se udhëtimi i tij tashmë është zgjatur me dy orë në ditë dhe se gjithashtu është i shqetësuar për dëmtimet e automjetit në rrugët e paasfaltuara.

“Kërkoj që të gjendet një zgjidhje sa më parë,” tha ai.

I kontaktuar për këtë çështje kryebashkiaku i Mirditës Ndrec Dedaj thotë se po punohet për zgjidhjen e problemit të këtyre fshatrave.

“Kjo çështje vërtet është problem sidomos pas reshjeve të fundit të shiut që kanë sjellë dhe shembjen e rrugës, duke izoluar totalisht disa banorë,” tha Dedaj. Ai shtoi se është diskutuar me Ministrinë e Infrastrukturës për të shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një pike të rregullt aksesi në autostradë. Por deri sa rrugët sekondare të asfaltohen ose një pikë e re aksesi në autostradë të ndërtohet, banorët e zonës duket se janë kthyer në gjendjen që ishin para se Rruga e Kombit të ndërtohej.