Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat në seli, sulmoi ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha, duke theksuar se ngjarjet e sotme në PD ishin “shenjë e qartë e ndarjes së plotë e të pakthyeshme me Berishën dhe me anën e tij të errët të historisë”.

Basha tha se për disa orë janë ndodhur në një situatë të vështirë ndërsa theksoi se Berisha solli me vete njerëz me precedentë kriminalë. Përpjekja e ish-kryeministrit sipas Bashës ishte që të rikthente skenat e ’97 në selinë e PD.

“Për disa orë jemi ndodhur në një situatë jashtëzakonisht të vështirë përballë njerëzve me precedentë kriminalë që solli me vete Sali Berisha në përpjekjen e tij qesharake për të na rikthyer skenat e ’97 këtu në shtëpinë e lirisë, në selinë e PD me zellin e pangordhur të një ish-komunisti me gjuhën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave dhe me shpresën e vdekur tashmë se mund të marrë peng demokratët dhe PD. Apo t’i kthejë ata një batalion non grata të vetes dhe familjes së tij non grata nga SHBA”. 

“Ishte një spektakël i shëmtuar i të kaluarës, i asaj të kaluare që PD-ja ka vendosur ta lërë mbrapa. Shkaku i kësaj sjelljeje është se dje u mblodh Këshilli Kombëtar i partisë dhe u pasqyrua me transparencë. Sali Berisha është mësuar që të rrahë kryetarët e degëve dhe t’i nxjerrë zvarrë nga mbledhjet. Kjo e sotmja është shenjë e qartë e ndarjes së plotë e të pakthyeshme me Sali Berishën dhe me anën e tij të errët të historisë”, tha Basha.

“Dënojmë aktet e një njeriu, marrëzia e të cilit nuk ka fund. Në këtë betejë me SHBA-në, PD theu për herë të parë standardin e vendosur dhe i kërkoj ndjesë shqiptarëve. U mjaftova me pezullimin e Berishës nga partia, e bëra në një moment paqartësie me veten time. Por, sot nuk ka demokrat që nuk është i qartë. Në kulmin e dëshpërimit, Berisha ndërmori një akt që u kujtoi shqiptarëve skena të harruara nga pjesa më e hidhur e trashëgimisë së tij personale, që fatkeqësisht na faturohet edhe neve. Asnjë demokrat, asnjë anëtar i Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet në 18 dhjetor, nuk do t’i nënshtrohet presioneve”, shtoi Basha.

Sipas kreut demokrat, “regjimi do të mposhtet jo me një “non grata”, por me një parti në krah të shqiptarëve dhe në krah të SHBA-së, mbështetja e të cilës u shpreh qartë pak ditë më parë”.

“Me këtë mbështetje, demokratët do të arrijnë të përballen dhe të rrëzojnë regjimin e Edi Ramës, që shtë përfituesi numër një i tollovisë 3-mujore të Sali Berishës. Në vend që të merremi sot me hallet e të përmbyturve, me mbi 40% të familjeve që nuk ngrohin dot shtëpinë, me mbi 90% të familjeve që shpenzojnë buxhetin për faturën e dritave, ujit, taksave dhe ushqimeve bazike, ne sot po merremi me tollovinë e Berishës dhe këtë në nivel personal, nuk ia fal kurrë Berishës. Sali Berisha është bërë barrë për PD-në dhe pengesë serioze për luftën tonë opozitare”, deklaroi Basha.