Pas publikimit të disa të dhënave nga hakerat iranianë për udhëtimet e tij jashtë vendit me charter, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish duke hedhur poshtë raportimet e kostove të udhëtimeve të tij.

Reagimi i Ramës vjen pas deklaratës së kryedemokratit Berisha në një konferencë për mediat ku ka thënë se ”Rama si asnjë kryeministër tjetër i Europës dhe i botës, i ka lejuar vetes 137 udhëtime me avion taksi.”

Kësaj deklarate, kryeministri Rama i është përgjigjur me shifra, ku ka thënë se po të krahasohet 2021 me 2010, “udhëtimet e tij me charter i kushtojnë taksapaguesve shqiptarët 4 herë më pak kosto udhëtimi”.

Kryeministri Rama ka shtuar se “për një udhëtim të “hienës”, kostoja ishte 2,5 milionë të vjetra” ndërsa për të sipas tij “është 650 mijë të vjetra”.

Edi Rama: Të vijmë tek taksia ime, po ju them vetëm kaq se në fund të ditës mund të thonë këto: Milionë, por në fund fare janë shifrat dhe ka fatura të paguara. Interesante është se pavarësisht se ne kemi këtë shërbim, unë iu kushtoj taksapaguesve shqiptarë të cilëve hiena non-grata iu qan hallin, po të krahasojmë 2021 me 2010, i kushtoj taksapaguesve, 4 herë më pak kosto udhëtimi. Për një udhëtim të hienës, kostoja ishte 2,5 milionë të vjetra. Për mua është 650 mijë të vjetra, kjo është e vërteta dhe këto janë shifrat.

Ndërkohë në atë taksinë time që nuk është e imja, vijnë gazetarët plot dhe nuk paguajnë asgjë, ashtu sikundër janë edhe delegacionet dhe duke pasur delegacione, duke mos marrë budigardë me vete siç merrte heena se kishte frikë se do ta sulmonin gjithë sorkallet atje, kjo është kostoja, shumë e thjeshtë. Duke shkuar përtej kësaj, do të dëgjoni rrena të paimagjinueshme sepse ka një teori që nëse do ta çoroditësh njeriun, rreje fort. Sot, ne jemi qeveria e parë që që nga viti 2013, që as unë dhe asnjë ministër nuk udhëton në biznes klas, të gjithë në ekonomik. Ndërkohë për taksinë ju tregova koston.

Ai avioni është promocion për Shqipërinë, për kompaninë. Ndërkohë ata me hienën e madhe në krye dhe bashkë me gra në biznes klas me lekët e shqiptarëve dhe plus kësaj edhe në udhëtime private prapë me lekët e shqiptarëve dhe plus kësaj se ai është një hienë nongrata. Nuk lë njeri pa marrë nëpër gojë ndërkohë që në asnjë rast unë nuk shkoj i shoqëruar nga gruaja apo bashkë me djalin me shpenzime të shtetit përveçse kur ajo është e ftuar.