Ilir Meta deklaroi se kryeministri Edi Rama do të përgjigjet para ligjit për firmat që ka hedhur. Kreu i Partisë së Lirisë lexoi Kodin Penal, duke treguar se sa vite burg, sipas tij, rrezikon kreu i qeverisë për ujësjellësin e Memaliajt, punimet për të cilin janë inauguruar 3 muaj para se të lidhej kontrata.

“Është shumë e qartë se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë. Do të pasqyrojmë raste të tjera dhe më flagrante në të ardhmen. Pra, në shtetin e këtyre banditëve që nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën tonë, me detyrimet e stabilizim-asociimit, gjithçka bëhet fakt i kryer, të gjitha pazaret bëhen më përpara. Demonstrohen dhe në publik si në rastin konkret, ku kryeministri dhe ministri dalin së bashku me kompaninë për qëllime elektorale dhe jo vetëm, ndërkohë që ky objekt është zyrtarisht ende në tenderim. Fituesi është shpallur me kohë, pazaret janë bërë me kohë, tenderi është formal. Edhe kontrata lidhet pas 3 muajsh”, tha Meta.

“Përgjigjet e Ramës do të jenë para ligjit, me firmat e tij dhe ligjet e tij dhe ne nuk do të falsifikojmë asgjë, përkundrazi. Neni i Kodit Penal e bën të qartë se kryerja apo moskryerja me dashje e veprimeve apo mosveprimeve, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, minimumi dënohet me burgim deri në 7 vjet. Neni 258, shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dënohet me burgim nga 1-5 vjet. U bënë 12 vite burg për një rast”, shtoi Meta.