Në një konferencë për mediat nga selia e PS, së bashku me kryeministrin e vendit Edi Rama, ministri i drejtësisë, Ulsi Manja ka renditur pasurinë e 10 gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk i justifikojnë dot burimet e të ardhurave.

Gjatë fjalës së tij, ministri Manja ka kërkuar që të gjithë prokurorët dhe gjykatësit të cilët nuk e justifikojnë dot pasurinë, të hetohen nga drejtësia e re.

Ulsi Manja: Unë po ju rendis top listën e 10 gjyqtarëve dhe prokurorëve që kryesojnë listën dhe askush nuk më thotë mua këtu se nga e kanë vënë gjithë këtë pasuri që nuk e justifikojnë dot me vendime të formës së prerë.

Hapet lista me një subjekt, 857 milionë lekë të vjetra mungesë burimesh financiare dhe pasuri sigurisht. E doni në euro, 714 mijë euro kur në jetën e vet ka bërë vetëm punën e prokurorit. Ta hetojë drejtësia e re se për atë e ngritëm.

Vazhdon lista, 800 milionë lekë të vjetra subjekti i dytë apo 673 mijë euro dhe jo vetëm që ka mungesë burimesh, fshehje pasurish por ka ngelur dhe tek pastërtia e figurës. Lidhje me botën e krimit të organizuar, është vepër penale direkt. Pse nuk duhet të fillohet hetimi këtu?!

Vazhdon subjekti i 3-të, 671 milionë të vjetra.

Subjekti i 4-të, 600 milionë të vjetra, por subjekti i 4-të është i lidhur me të 5-tin sepse janë bashkëshortë.

Bashkëshortja 550 milionë lekë të vjetra.

Vazhdon i 6-shti me 460 milionë.

Dhe e mbyll i 10-ti e mbyll me 155 milionë të vjetra.

Të gjithë kanë probleme me pasurinë, me apartamente të pajustifikuara, me toka.

Doni për apartamentet, ja:

Një subjekt tjetër 13 apartamente, shtëpia, dyqane, vilë. Është larguar nga vetingu, nuk e justifikon. Tjetri 3 vila, janë vendime këto. Vazhdon tjetri 10 pasuri, dyqane, apartamente, vila. Ndërsa një subjekt tjetër, jo vetëm që ka deklarim të rremë dhe mungesë burimesh, por ky ka ndërtuar dhe vilën pa leje, në tokën e dikujt tjetër vepër penale.

Më lejoni miq se drejtësia jonë e re ka dënuar për një avlli për një ndërtim pa leje. Ky mirë lekët pa burim dhe të pajustifikuara. Ky ka kryer dhe vepër penale. Kjo pse nuk fillon?!