Myrto Uzuni ka lënë shenjën e tij në “Allianz Stadium” me rikthimin si titullar në Champions League. Edhe pse Ferencvaroshi i tij u mund në fund 2-1, sulmuesi beratas i Kombëtares ka rrëmbyer skenën e Championsit me golin e shënuar në Torino dhe festën si Ronaldo. Një mbrëmje magjike për futbollistin shqiptar, që i ka shënuar një ekipi të madh para syve të idhullit të tij.
Në minutën e 19-të ndeshjes, Uzuni u tregua shumë i shpejtë në zonën e Juventusit, duke devijuar saktë një top të ardhur nga e djathta për ta dërguar në portën e Sheznit. Një gëzim i jashtëzakonshëm për lojtarin e Ferencvaroshit dhe Kombëtares kuqezi, i cili festoi pikërisht si idhulli Kristiano Ronaldo. Portugezi barazoi Brenda pjesës së parë për Juventusin, që vuajti shumë për të gjetur golin e fitores me Moratën në minutën e 2-të shtesë. Bernardeski dhe Morata goditën edhe shtyllën në këtë ndeshje.