Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin botën, tha të martën Presidenti i sapozgjedhur i SHBA Joseph Biden, duke prezantuar ekipin diplomatik dhe të sigurisë kombëtare të qeverisë së tij të ardhshme.

“Eshtë një ekip që pasqyron faktin se Amerika është e gatshme për të udhëhequr botën e për të mos u tërhequr nga ajo,” tha ai në Ëilmington, duke lënë të kuptohet një kthesë në politikën e jashtme.

Presidenti i sapozgjedhur përsëriti vendosmërinë e tij për të luftuar ndryshimin e klimës, duke prezantuar të dërguarin e tij të ardhshëm special për këtë çështje, John Kerry.

“Unë dua të jem i qartë. Unë nuk kam nënvlerësuar për asnjë sekondë vështirësitë në përmbushjen e angazhimeve të mia të guximshme në luftën kundër ndryshimit të klimës. Por, në të njëjtën kohë, askush nuk duhet të nënvlerësojë për një sekondë vendosmërinë time për ta bërë këtë,” tha Biden.

Kerry i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të jetë më ambicioze në luftën kundër ndryshimit të klimës, e cila është një nga përparësitë e Biden-it.

Sekretari i ardhshëm i Jashtëm, Antony Blinken tha në të njëjtën kohë se ai do të mbrojë për bashkëpunimin ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve botërore.

“Ne nuk mund t’i zgjidhim vetë problemet botërore, duhet të punojmë me vendet e tjera”, tha diplomati i caktuar nga Biden, duke theksuar nevojën për “bashkëpunim” dhe “partneritet” me vendet e huaja.

Edhe ambasadorja e ardhshme amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, foli, duke thënë se multilateralizmi ishte kthyer në Shtetet e Bashkuara.

“Unë dua të them se Amerika është kthyer, se multilateralizmi është kthyer dhe se diplomacia është kthyer,” tha ajo.