Kushdo që ka një oborr pa tapi përreth banesës, apo truall të cilin e posedon efektivisht, mund të përfitojë pa pagesë pronësinë mbi atë sipërfaqe. Përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar procedurat përmes të cilëve mund të përfitohet pronësia mbi objektet pa tapi, oborreve apo trojeve të tyre funksionale.

Tarifa e shërbimit për procedure administrative të miratimit të dokumentit të pronësisë është 10 mijë lekë, ndërkohë që në rast se subjektet kërkojnë ta bëjnë këtë përmes një procedure të përshpejtuar brenda një afati 90-ditor, ajo shkon në 18 mijë lekë.

Trajtohet, sipas këtij kreu, ndërtimi që plotëson njëkohësisht këto kushte: a) Për të nuk ka dokument të fitimit të pronësisë edhe nëse figuron i regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme si pronë private ose me pronar të pavërtetuar. b) Nuk është objekt në pronësi shtetërore, pavarësisht nëse nuk është inventarizuar si i tillë, apo objekt i transferuar në pronësi/përdorim të njësive të vetëqeverisjes vendore. c) Nuk është ndërtim pa leje, sipas përkufizimit; ç) Ndërtimi është i përfunduar, përfshirë këtu edhe ato ndërtime të cilat kanë dëmtime, shembje të pjesshme apo të cilave u ka rënë mbulesa prej vjetërsisë apo shkaqeve natyrore. d) dhe nëse Ndërtimi ka funksion banimi.

Për sipërfaqen e truallit funksional deri në 300 (treqind) m², dokumenti i pronësisë miratohet pa shpërblim, kur trualli është në pronësi, shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë, pavarësisht nëse në këtë sipërfaqe ka edhe ndërtime pa leje.

Subjektit, me kërkesë, mund t’i kalojë pronësia edhe për sipërfaqe mbi 300 (treqind) m², kundrejt pagesës, me kusht që të posedohet efektivisht në terren, vërtetuar në momentin e evidentimit në terren, nëpërmjet rrethimit. Për sipërfaqet shtesë subjekti duhet të paguajë vlerën e truallit sipas hartës së vlerës së pronës.