Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se bie dakord me propozimin e Enkelejd Alibeajt që raundi i parë për votimin e presidentit të mos zhvillohet me datë 10 maj.

Nëse kjo ndodh, atëherë Konferenca e Kryetarëve që po zhvillohet aktualisht do të ndërpritet, për t’u zhvilluar me datë 10.

Në këtë rast, Balla sugjeroi datën 16 maj për raundin e parë të votimeve.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve për zgjedhjen e presidentit, Balla ftoi krerët e grupeve parlamentare të opozitës që të “diskutojnë për kriteret e përzgjedhjes se presidentit të ri”.

Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se nuk është dakord me datën 10 maj për raundin e parë të votimit për presidentin e ri, duke kundërshtuar kështu mazhorancën.

Ai kërkoi që data 10 maj të jetë dita kur të nisë procesi për zgjedhjen e presidentit.

“Nuk jam dakord me datën 10 për raundin e parë të votimit për presidentin. Së pari vetë procesi i përzgjedhjes së presidentit duhet të jetë totalisht në shërbim të publikut. Është një proces që zhvillohet brenda parlamentit, por do duhet t’u shërbejë publikut. Sugjeroj që si datë, si moment i fillimit të procesit të zgjedhjes së presidentit të filloj në datën 10 maj. Afati më i hershëm është 24 maji. Kushtetuta thotë që duhet të fillojë së paku më 24 maj”, u shpreh Alibeaj.

“Distanca kohore nga raundi në raund duhet të jetë maksimalisht 7 shtatë, që do të thotë se mund të jetë edhe më e shkurtër. Unë do të bëja një propozim për të qenë korrekt në zbatimin e Kushtetutës. Për të gjitha raundit duhet të ketë distancë maksimale kohore prej 7 ditësh”, tha më tej Alibeaj.

Sot, me propozim të socialistëve, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka mbledhur Konferencën e Kryetarëve, për të përcaktuar kalendarin e punimeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Nëse në raundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk do të marrë 84 vota, atëherë jo me vonë se 7 ditë vijohet me raundin e dytë, i cili kërkon po aq vota sa i pari.

Palët kanë mundësi të votojnë një emër konsensual deri në raundin e 3-të, në të kundërt mazhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të. E gjithë procedura e zgjedhjes së presidentit të ri pritet të përmbyllet brenda këtij muaji.