…Hamzanë e kishte pagëzuar vetë, publikisht, në të largëtin vit 1443, në Krujë ( me emrin Bernardo). Nëpërmjet pagëzimit të tij i kishte dhënë perendimoreve sinjalin e parë për afrim shpirtëror. Tek e shihte ashtu të shpërfytyruar, i erdhi një mendim. Hamzai duhej demaskuar, por jo aq për tradhtinë ndaj Skënderbeut, sesa për tradhtinë ndaj… besimit të krishterë! Ky demaskim do të sillte efekt të madh propagandistik në botën e kryqit. Hamzai kishte tradhtuar besimin! Kaq mjaftonte që, edhe njëherë, para kalimit në harresë, ky njeri të përdorej në dobi të punëve të jashtme të Skënderbeut. Ungji ishte më largpamës se nipi. Ai kishte çarë me mjeshtëri në labirintet e kryqëzatës e jo më të linte t’i shkonte dëm ky rast i shkëlqyer për të forcuar imazhin e tij.
Kjo propagandë do të ishte kryesisht për konsum të jashtëm sepse, brenda vendit Skënderbeu ushtronte mjaft tolerancë në çështjet e besimit.
Tashmë ishte larg viti 1443 kur ai e pati bërë Krujën ndëshkime e pagëzime. Koha e atyre veprimeve ekstremiste kishte qenë fare e shkurtër dhe tashmë ishte harruar. Në Arbëri bashkëjetonin në heshtje disa besime fetare. Prandaj një dënim kapital me motivacion të pastër fetar për Hamzanë mund të mos mbështetej unanimisht nga arbërorët, të cilët e kanë në natyrë tolerancën për çështje shpirtërore. Ata do ta perceptonin më me entuziazëm dënimin për tradhti ndaj udhëheqësit të tyre, sesa dënimin për tradhti ndaj besimit fetar. “Fundja…”, mund të mendonin ata, “…Hamzai mysliman e i bërë synet ka qenë… Të themi atë që është… ai nuk tradhtoi besimin e ri, por… kreu pendesën ndaj besimit të vjetër”. I futur në të tilla ambiguitete, opinioni popullor do të çoroditej dhe çështja Hamza mund të sillte efekte përçarëse, aq më tepër që ky njeri gëzonte simpati në ushtri.
Skënderbeu e zgjidhi problemin me rrugën e mesme. Pasi e demaskoi Hamzanë para të tijve për tradhti ndaj udhëheqësit, e largoi atë menjëherë. Ia nisi aleatit aragonas, me rekomandimin logjik se vetëm ky i fundit i kishte strukturat e nevojshme të inkuizicionit për të realizuar trajtimin e mëkateve të kalorësve sipas rëndësisë së tyre. Suzereni Alfons e pranoi me kënaqësi përkëdhelinë spirituale, që i bëri Skënderbeu. E plasi Hamzane ne nje burg ku inkuizitoret fetare filluan punen e tyre “bindese” per t’i pastruar shpirtin. Kështu Hamzai doli nga skena duke i bërë edhe këtë shërbim të fundit politikes se jashtme te Skënderbeut. Otomanët dështuan për të mijtën herë para këtij gjeniu të politikës dhe shpatës…

_____

Nga libri “Skenderbeu-Kryqtari i Fundit”
Virgjil Kule