Shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin është konfirmuar i vdekur pas analizave gjenetike të trupave të gjetur në rrëzimin e avionit të së mërkurës, thanë zyrtarët rusë, raporton BBC.

Prigozhin vdiq gjatë rrëzimit të një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht.

“Sipas këtyre rezultateve, është përcaktuar identiteti i dhjetë viktimave dhe korrespondojnë me listën e pasagjerëve të paraqitur të fluturimit”, tha komiteti.

Autoritetet ruse kanë thënë se në listën e pasagjerëve të avionit që u rrëzua ishte Prigozhin dhe komandanti i Wagner-it, Dmitry Utnik.

“Ekzaminimet molekulare-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver”, tha zëdhënësja e komitetit, Svetlana Petrenko.

Avioni privat Embraer ishte nisur nga Moska drejt Shën Petersburgut. Shkaku i rrëzimit të tij ende nuk është përcaktuar. Ka pasur spekulime se Kremlini mund të ketë qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Wagner kreu një rebelim të shkurtër kundër presidentit rus, Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshkruar incidentin si “tragjik” dhe i ka quajtur “gënjeshtra” spekulimet për një përfshirje të mundshme të Kremlinit në këtë ngjarje.

Kush ishte Yevgeny Prigozhin?

I lindur në vitin 1961 në Leningrad, sot Shën Pjetërburg, Prigozhin në vitin 1981 dënohet me 9 vite burg për grabitje dhe mashtrim. Në vitin 1990, pasi del nga burgu, nis punë si shitës ambulant hotdogësh. Shumë shpejt ai arriti të hapë një zinxhir restorantesh, kompani shërbimi kateringu, e cila quhej Konkord si dhe kazino. Në vitet ’90 Putin punonte në Bashkinë e Shën Pjetërburgut dhe aty ata u njohën për shkak të restoranteve luksoze të Prigozhin, ku ai priti edhe njerëz shumë të rëndësishëm.

Duke përfituar nga njohja e elitave dhe sidomos kur Putin u bë President i Rusisë, Prigozhin me kompaninë e tij Konkord arrijnë të përfitojë kontrata për shërbimet qeveritare, ku një nga më të famshmet ka qenë ajo e vizitës së Presidentit amerikan George W. Bush. Kontratat e fituara nga Prigozhin nuk mbaronin këtu, pasi ai arriti të merrte një kontratë marramendëse për kateringun në shkollat në Rusi. Kontratat e fituara nga Prigozhin i dhanë atij pseudonimin e Kuzhinierit të Putin.

Themelimi i Wagner Group

Për herë të parë emri i Wagner Group u dëgjua në vitin 2014 kur nisi edhe aneksimi i Krimesë nga Rusia. Inteligjenca perëndimore që në atë kohë kishte informacion se themeluesi i saj ishte Evgeny Prigozhin, por një gjë e tillë nga ky u fundit nuk u pranua deri shtator të viti 2022 kur vetë Prigozhin shfaqej në disa video ku bënte rekrutimin e të burgosurve rusë.
Emri Wagner: Komandanti i kësaj kompanie ose CEO është Dmitri Utkin, një ish-nënkolonel i forcave speciale ruse, veteran i luftës në Çeçeni. Besohet se emri në kod i Utkin ishte Wagner gjatë kohës së shërbimit të tij dhe për këtë ai i vendosi emrin kompanisë Wagner Group.

Që prej vitit 2017 Wagner është shfaqur edhe në kontinentin afrikan në disa shtete si në Republikën e Afrikës Qendrore, Mali dhe Sudan ku ka një dislokim të konsiderueshëm forcash. Sipas shoqatave humanitare Wagner është përgjegjës për shumë masakra në popullsinë civile të këtyre zonave.
Fillimisht Wagner Group kishte rreth 5 mijë efektiv, kryesisht ish-ushtarakë profesionistë, por numrat e tyre u rritën në mënyrë të ndjeshme gjatë luftës në Ukrainë duke shkuar deri në 50 mijë ushtarakë, ku 80% e tyre ishin të burgosur.

Si nisi përplasja me drejtuesit e ushtrisë ruse?

Prigozhin ka akuzuar vazhdimisht Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe kreun e Forcave të armatosura Valeriy Gerasimov për inkompetencë. Gjakrat u nxehën më shumë kur Shoigu urdhëroi që ushtarët të nënshkruanin kontrata duke e vendosur Wagner në kontroll të tyre.
Në 23 qershor Prigozhin akuzoi drejtuesit e ushtrisë se kishin bombarduar forcat e Wagner. Një ditë më pas ai mori kontrollin e qytetit Rostov on Don nga ku nisi dhe marshimin për në Moskë ku do të synonte largimin e krerëve të ushtrisë.
Në datën 25, me ndërhyrjen e presidentit Lukashenko Prigozhin tërheq trupat dhe niset në Bjellorusi. Grupi Wagner çmontohet nga Putin.