(Kryeministri në fjalë ka një histori paraardhëse shtypjeje nga më brutalet të lirisë së shtypit në vendin e tij, me arrogancën e pashoqe ndaj gazetarëve të medias shqiptare…)

Nga Grigor JOVANI

Kryeministri shqiptar bëri një gjest spektakolar, në favor të Lirisë së Shtypit. Ndërmori vetë iniciativën të kontaktonte i pari një gazetar të prestigjiozes greke “Kathimerini” dhe t’i ofronte sqarimet përkatëse për një çështje politike dypalëshe, që tjetri të bënte sa më mirë punën e tij: informimin sa më të saktë të publikut. Natyrshëm, në një rast krejt unikal si ky në historinë e medias ndërkombëtare, duhej të ishin sensibilizuar automatikisht instancat më të larta të medias së përbotshme, për t’i akorduar kryeministrit shqiptar dekoratat më të rëndësishme. Gjer edhe “Pulitxer Prizes” mund t’i akordohej, për shërbim të madh ndaj lirisë dhe efektshmërisë së shtypit.
Por asnjë gur nuk lëvizi nga vendi dher askush nuk u ndjeshmërua. Ngaqë një pyll nuk mund të mbulohet prej ca drizave artificiale plastike. Kryeministri në fjalë ka një histori paraardhëse shtypjeje nga më brutalet të lirisë së shtypit në vendin e tij, me arrogancën e pashoqe ndaj gazetarëve të medias shqiptare. Nëse mund të jepej ndonjë dekoratë, qoftë dhe “Pulitzer Prizes” për diskriminuesin më të madh të kësaj lirie, problemi i vetëm do të ishte kandidatura e vetme rivale e Kim-it, udhëheqësit verikorean, i cili, megjithatë, i rehaton kundërshtarët e tij në një hotel të posaçëm, varrezat. Në një kohë që Edi i Gjatë vetëm sa i injoron, nuk pranon as t’u hedhë sytë, nga aty lart…

E, ç’të themi, i takon këtij tjetrit, bullafiqo-shkurtabiqit…, që u gjendet gazetarëve më pranë…?