Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar “diferencim klasor” deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “do të vaksinojë personalitetet e moshuara”.

Në një intervistë për Ora News ai tha se “nuk jemi në një situatë për të bërë diferencime klasore” dhe shtoi se askush nuk e ka të drejtën ta bëjë këtë.

“Të gjithë qytetarët janë të barabartë, sidomos kur bëhet fjalë për jetën dhe për shëndetin e tyre”, tha Meta.

Mjeket dhe personeli shëndetësor duhet të jenë prioritet tha ai, po ashtu edhe mosha e tretë, invalidët dhe persona të tjerë me nevoja të veçanta por “diferencim tjetër pastaj ngjan si klasor”, tha ai.

Të mërkurën kryeministri Edi Rama deklaroi se “do vazhdojmë me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete, që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur vdesin e të mbajmë fjalime”.

Të enjten nisi vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve të Vlorës.

Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu tha se do të kryhen rreth 200 vaksinime në Vlorë. Ajo shtoi se në dy ditët e para të javës janë vaksinuar mbi 600 mjekë dhe infermierë.