Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi i ka këshilluar parlamentit shqiptar të presë mendimin e Komisionit të Venecias përpara se të rimiratojë ndryshimet e Kodit të ri Zgjedhor.

Në një postim në Twitter, të hënën, Varhelyi shkroi:

“Kodi Zgjedhor në Shqipëri: Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë parasysh këtë këshillë përpara se të vazhdojë me rivotimin. Duke pritur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në prill 2021”.

Presidenti Meta, në një konferencë për shtyp, të hënën, njoftoi se i ka dërguar disa pyetje Komisionit të Venecias për ndryshimet e Kodit të ri Zgjedhor.

Parlamenti miratoi më 30 korrik, Kodin e ri Zgjedhor, duke ndryshuar pragun kombëtar, heqjen e koalicioneve parazgjedhore të përbëra, dhe shpërndarjen e votave për tu zgjedhur deputet.

Këto ndryshime nuk u pranuan nga partitë e opozitës jashtëparlamentare, të cilat ishin kundër heqjes së koalicioneve parazgjedhore të përbëra, dhe garimit në një listë të vetme.

Presidenti Meta nuk i dekretoi këto ndryshime dhe i kërkoi mendim Komisionit të Venecias. Ndërkohë Kryeministri Rama u shpreh se shumica socialiste do t’i rivotojë ato më 29 tetor.