Partia Demokratike publikoi të hënën raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili liston shkeljet ligjore në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Në një deklaratë për shtyp, ish deputetja Jorida Tabaku pohoi se shqiptarët do të paguajën 104 milionë euro nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave.

Tabaku shprehet se kontratat për inceneratorin e Tiranës do të shkojë në 300 mln euro dhe jo 223 milionë euro.

“Një analizë e ftohtë e KLSH në lidhje me kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, e dhënë 30 vjet një kompanie me aksionerë të panjohur në parajsa fiskale dhe pjesa tjetër e zotëruar nga Klodian Zoto, ngre alarmin për një skemë tjetër kriminale edhe më të rëndë se vjedhjet me inceneratorn e Fierit dhe Elbasanit.

Shqiptarët do të paguajnë shtesë 104 mln euro vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave. Kjo do të thotë që vlera e kontratës se operimit për incineratorin e Tiranës do të shkojë në 300 mln euro dhe jo 223 milionë euro, sa mashtron Ministria e Financave”

Tabaku liston shkeljet e mëposhtme:

-Në kostot e inceneratorit të Tiranës mungon zëri i shpronësimit të tokës private në të cilin ai do të shtrihej. Kjo zë 40% të të gjithë sipërfaqes së territorit të projektit me vlerë shpronësimi 214.5 milionë lekë, por auditimi tregon se kosto është fshehur dhe nuk përfshihet në projekt.

-Më shumë se 61 milionë euro kosto të paraqitura në studimin e fizibilitetit janë të paargumentuara, duke çuar në rritjen artificiale të tarifës së shërbimit.

-Dyshime mbi mënyrën se si institucionet përgjegjëse buxhetore pranuan koncesionin e propozuar nga kompania private.

Tabaku në përfundim i bëri thirrje SPAK të hetojë mbi këtë kontratë koncesionare.