Pasi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, konfirmoi praninë e variantit britanik të koronavirusit në Shqipëri, Drejtuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, dha detaje mbi këtë variant, duke bërë të ditur se shtohet transmetueshmëria.

“Janë identifikuar mutacione të SARS-CoV-2. Këto janë të 70% të mostrave që ne kemi ekzaminuar nga këto raste të cilat kanë plotësuar përkufizimin epidemiologjik ka rezultuar mutacioni B117, i cili është quajtur edhe si varianti britanik. Nga të dhënat që ne kemi sot, ky variant shton transmetueshmërinë e virusit. Kjo metodologji është kryer me atë të metodës PCR me kite të përcaktuara në lidhje me mutacionin”, tha Bino.

Ndërkohë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se situata në vend mbetet delikate, pavarësisht se në dy javët e fundit ka pasur një rënie të rasteve. “Incidenca dy javore ka pasuar një rënie. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë në 819, rastet aktive kanë pësuar një ulje të lehtë, por që duhet të vijojë monitorimi. Nuk është akoma momenti për t’u gëzuar, masat duhet të vijojnë. Apelojmë te qytetarët të mbajnë maskën, distancën dhe higjienizimin”, tha Fico.