Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot një takim me kandidatët për deputetë pranë vilave qeveritare në Vlorë, fill pas lajmit se Dritan Leli është përjashtuar nga fushata e PS-së.

Më herët Vala News raportoi se Rama i ka dërguar një mesazh antarëve të Asamblesë së PS ku u kërkonte që Leli të mos dilte më në fushatë pas refuzimit që i bëri ftesës së tij për të kandiduar për deputetë me 25 prill.

Pas refuzimit, burime bëjnë me dije se Rama ka kërcënuar Lelin me fjalët: “Zhduku, mos të të shoh më në Bashki”.

Leli ka fikur telefonin duke mos iu përgjigjur më Ramës.

Mësohet se kryeministri Rama nuk e ka pritur aspak mirë refuzimin që i bëri Leli ndaj ka vendosur të “divorcohet” përfundimisht nga ai.

Në sms që Rama u ka dërguar antarëve të Asamblesë thuhet se: “Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat privatisht le ta ndihmojë, por jo me ne.”

Sipas Ramës, kjo nuk është diçka personale me Lelin, por është një strategji e PS të cilës Dritan Leli nuk iu përgjigj. Të njëjtën ftesë, shkruan Rama në mesazh, ia bëra dhe kryetarit të bashkisë së Dibrës, dhe menjëherë ky i fundit pranoi të ikte nga bashkia.

Madje Rama shkruan se që në qershor, Leli thoshte se për ty jap dhe jetën, ndërsa sot nuk ndërron as karrigen për mua dhe Partinë Socialiste.

Rama shprehej se sipas sondazheve të bëra nga Partia Socialiste, nëse Leli do të përfshihej në listat e deputetëve, do të arrinte deri mandatin e nëntë të kësaj force në qytetin bregdetar.

Mesazhi që u lexua në mbledhjen e Asamblesë nga Damian Gjiknuri, u prit me habi nga anëtarët për këtë zhvillim të papritur që ka trazuar jo pak “ujërat” socialiste në qytetin bregdetar.