Nga Robert GORO

(Në ditën e lindjes së mikut tim të çmuar dhe artistit tonë të madh Viktor Zhusti, lejohem të publikoj disa rreshta nga një dorëshkrim, duke i kërkuar ndjesë sebepçiut që po e mëson në këtë mënyrë…)

“Pitagora e ndante jetën në katër periudha që i emërtonte sipas stinëve. Kur ishim njohur me Viktorin unë po përjetoja ditët e fundit të vjeshtës pitagoriane e po i afrohesha stinës ku miku im ndodhej prej shumë kohësh, por kjo as i dukej dhe as e shqetësonte. Tani ndodhej në sezonin e dytë të interpretimit të mbretit Lir dhe për shkak të rolit i qethte shumë pak flokët ndërsa mjekra e bardhë i lëshohej mbi kraharor si një dallgë plot shkumë. Po t’i qethte normalisht flokët e të hiqte mjekrën, me trupin që ruante ende një formë të përkryer atletike, nuk i jepje më shumë se 60 vjeç, pa le të kishte mbi kurriz dy dekada jetë më shumë nga unë.
E torra kaq gjatë këtë punën e moshës për të treguar se miqësitë e krijuara në stinën e vjeshtës moshore janë tepër të qëndrueshme, të shenjta. Sepse në këtë moshë shoku ynë më i mirë është bashkëshortja dhe nuk e ndjejmë nevojën për miqësi të reja. Veç kur ky është një verdikt i fatit që nuk ke si t’i shmangesh. Dhe miqësia jonë me Viktorin ishte e shkruar të ndodhte”.