Prokuroria kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit që shpalli të pafajshëm ish-gjyqtarin e lartë, Admir Thanza për akuzën e fshehjes së një dënimi për vjedhje në Itali.

Prokuroria e apelit ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar të lihet në fuqi dënimi i shkallës së parë për ish gjyqtarin që e shpalli atë fajtor.

Prokuroria nuk bie dakord me vendimin e Gjykatës së Apelit që në shtator të vitit të kaluar shpalli të pafajshëm ish gjyqtarin e lartë Admir Thanza, për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit. Për këtë arsye prokuroria e Apelit ka depozituar rekurs në gjykatën e lartë duke kërkuar që të lihet në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë, që e shpalli atë fajtor dhe e dënoi ish gjyqtarin Thanza me 18 muaj shërbim prove.

Thanza akuzohet se ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Sipas hetimeve për subjektin e shkarkuar nga vetingu, dënimi ishte dhënë në vitin 1999, por gjyqtari nuk e ka pranuar konsumimin e veprës penale dhe sipas tij ai nuk ka qenë i detyruar ta deklaronte në formularin e vetdeklarimit.

Gjatë vetingut Thanza deklaroi se kishte marrë përsipër një vjedhje në market të kunatës së tij e cila duhet të kujdesej për nipin e sëmurë. Ish-gjyqtari po hetohet edhe nga SPAK për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh.