Vllaznia hedh një hap të madh përpara në luftën për titullin kampion. Shkodranët mundën 1-0 Kukësin në transfertë, duke u shkëputur 9 pikë nga vendi i dytë, që aktualisht mbahet nga Teuta, e cila sot fitoi 2-0 ndaj Bylisit.

Ndeshja

Vllaznia shfaqet dominuese në lojë që në fillim të takimit, por rastin e parë të artë e pati Kukësi me Leiran, goditjen e të cilit më kokë e priti mbi vijën fatale Zogovic. Në fundit e pjesës së parë për pak bën mrekullinë nga distanca Fjoart Jonuzi i Kukësit. Tentativa e tij shkoi ngjitur me shtyllën, aty ku kryqësohet me traversën.

Vllaznia, falë presionit të vazhdueshëm, e zhbllokoi takimin në minutën e 58-të me Arlind Kalajën, që shtyu nga një distancë e afërt topin që nuk mundi ta kontrollonte Tafa pas goditjes së Markut nga jashtë zonës. Festë e çmendur e kuqebluve, me të gjithë pjesëtarët e stolit që pushtojnë fushën prej entuziazmit.

10 minuta më vonë Vllaznia iu afrua golit të dytë me Demir Ymerin, goditja fluturimthi e të cilit përfundoi ngjitur me shtyllën. Me fat ekipin shkodran në të 70-tën, teksa në zhvillimet e një këndoreje Hetemaj goditi shtyllën.

Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura, me Vllaznia që merr hak ndaj Kukësit për humbjen e fazës së parë, por ç’është më e rëndësishmja ruan distancën prej 9 pikësh me ndjekësen më të afërt, Teutën.