“Në rastin e një izolimi tjetër (lockdown) kombëtar, kampionati i Serie A nuk do të ndalet e do të vazhdojë përpara, nuk shoh asnjë motiv për ta ndërprerë”. Pozicioni i presidentit të Ligës së futbollit Paolo Dal Pino është i qartë e i vendosur.

Çfarë i kërkon Qeverisë bota e futbollit? “Kam thënë që kemi humbur rreth 600 milionë euro këtë vit, për shkak të masave shtrënguese – ishte përgjigja e presidentit të Ligës së Serie A -. Kemi kërkuar, si të gjithë sektorët e tjerë, të ketë masa lehtësuese. Ne paguajmë mbi një miliard kontribute në vit dhe kërkesa jonë është të shtyjmë kushtet e pagesës. Ne nuk kërkuam para nga arkat e shtetit”.

“Ne kërkuam edhe një tjetër gjë të rëndësishme për ne – shtoi Dal Pino – që është rifutja e basteve për 24 muajt e ardhshëm. Eliminimi i këtij elementi të sponsorizimit, i cili ekziston në të gjithë Evropën, ka larguar miliona sponsorë. Ne i kemi shkruar Qeverisë në më shumë se një rast dhe unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje me shkrim, dhe kjo vlen edhe për Gravinën. Unë shoh që në Angli Johnson personalisht është angazhuar për disa çështje të Premier, por gjithashtu edhe Merkel e ka bërë në Gjermani. Futbolli nuk është vetëm një industri e rëndësishme, por është gjithashtu pjesë e ADN-së italiane”.