Gjykata Penale e Tiranës ka dënuar me 50 vite burg në total babë e bir, Faik e Shkëlzen Buci për vrasjen e Eglantina Bucit. Babai dhe vëllai i të ndjerës janë dënuar me nga 25 vite burg secili, ndërsa ishin të pranishëm në seancën për shpalljen e vendimit. Gjatë seancës ata u paraqiten të qetë.

Faik dhe Shkëlzen Buci kanë mohuar vazhdimisht akuzat për vrasjen makabre të vitit 2012 të Eglantinës, në atë kohë 23-vjeçare. Për vrasjen akuzohet vëllai i kësaj të fundit, ndërsa ka dyshime të jetë porositur nga babai i tij, Faiku. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë që kërkonte 50 vite dënim në total për babë e bir, ndërsa masa është marrë mbi bazat e ligjit të vjetër, për shkak të kohës kur është kryer vepra penale.

Krimi ndodhi në vitin 2012, por është zbardhur në 2020. Asokohe në Malin me Gropa u gjet një skelet i groposur, ku pas analizave, rezultonte të ishte i Eglantina Bucit.

Sipas dosjes hetimore, Shkëlzen Buci, vëllai i Eglantinës, thirri të motrën për kafe, teksa i shoqëronte dhe shoku i tij. Gjatë rrugës për tek Mali me Gropa, Eglantina e ka kuptuar se diçka nuk po shkonte. Shkëlzeni ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me një plumb, ndërsa skena është parë nga shoku. Sot me statusin e të penduarit të drejtësisë, shoku i Shkëlzenit rrëfeu krimin 8 vite pasi kishte ndodhur.

Faik Buçi u arrestua pas rrëfimit të një miku të Shkëlzen Buçit, i cili i kishte ndihmuar babë e bir për të vrarë dhe më pas për të varrosur në Malin me Gropa, Eglantina Buçin. Eshtrat e gjetura u dërguan në Kosovë, ku është përfituar një material gjenetik.

ADN-ja përputhej me atë të nënës së viktimës, duke provuar kështu shkencërisht se kufoma e groposur në Malin me Gropa i përkiste 23-vjeçares së zhdukur. Motivi i vrasjes dyshohet se ka qenë fakti se 23- vjeçarja ishte larguar nga banesa për të bashkëjetuar me dikë, pa dëshirën e babait dhe vëllait.