Një 40-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të shtune në qytetin e Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit.

Viktima është 40-vjeçari Gentian Qarri. Ai po kalonte pranë Kishës Ortodokse kur u qëllua nga persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet.

Qarri mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, ku si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë.

Burime paraprake bëjnë gjithashtu të ditur se Qarri ka qenë i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge dhe ishte rikthyer në atdhe 3 vitet e fundit, ku nisi dhe punën në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.

Ndërkohë, pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes. Në automjet mësohet se është gjetur edhe një armë zjarri, kallashnikov.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë. Sa i përket autorëve, ata dyshohen të kenë qenë 2.

Paraprakisht dy janë pistat kryesore të policisë. E para lidhet me të shkuarën e Qarrit, ndërsa tjera ajo e konflikteve që mund të ketë pasur për shkak të biznesit të tij.