Përmes avokatit të tij Alban Qafa, sipërmarrësi Ylli Ndroqi ankimoi të premten vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), e cila më 1 gusht i sekuestroi 26 prona.

Sipas avokatit Qafa vendimi për sekuestro është “i mbushur më absurditete dhe pasaktësi ligjore” dhe për këtë arsye ata kanë kërkuar në gjykatën e Apelit “prishjen e vendimit”.

“Kemi konstatuar absurditete nga më të ndryshmet. Pasi kemi çekuar [kontrolluar] të gjitha pronat e tij me dokumentacionin përkatës se si janë përfituar këto prona kemi parë se është vënë sekuestro toka arë 600 metra katrorë në fshatin Zbarqe, që nuk posedohet prej shumë vitesh nga zoti Ndroqi dhe aktualisht aty ndodhen varrezat e fshatit dhe është fakt lehtësisht i verifikueshëm. Pasuritë e tjera janë të gjitha të krijuara nga aktivitete tregtare të licencuara që nga viti 1993, kanë kaluara disa herë kontrollet nga Tatimet dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe ka rezultuar në rregull dhe është kredituar nga bankat 100 për qind,” – tha avokati i Ndroqit.

“Absurd tjetër është që janë sekuestruar mjetet e Ora News, të cilat janë me leazing [kredi],” – shtoi avokati Qafa.

Me kërkesë të Strukturës së Posaçme anti-Korrupsion (SPAK), GJKKO vendosi më 1 gusht t’i sekuestrojë Ndroqit 26 prona të ndara në:

  • 2 apartamente 52 dhe 117 metra katrorë në Tiranë dhe plazhin e Durrësit;
  • 1 dyqan 67.3 metra katror në Tiranë;
  • 3,300 metra katrorë truall dhe arë të ndara në 6 parcela në Mullet, Zbarqe dhe Tiranë;
  • 10 hektarë pyje në Lanabregas, Tiranë;
  • 5 makina të markave Rolls Royce, Mercedes-Benz, BMW dhe Land Rover;
  • aksionet e 11 kompanive, mes të cilave dhe dy televizioneve Ora dhe Ora News;

SPAK njoftoi (kliko këtu për të lexuar njoftimin e plotë) më 3 gusht se “pas hetimeve dy-mujore” kishte dalë në përfundimin se pasuria e Ndroqit ishte e pajustifikueshme.

Mirëpo të premten, pasi depozitoi ankimimin në Gjykatën e Apelit, avokati Alban Qafa këmbënguli se të gjitha pasuritë e zotit Ndroqi janë të krijuara me “burime të ligjshme”.

Brenda 10 ditësh Gjykata e posaçme e Apelit pritet të marrë në shqyrtim këtë kërkesë të Ylli Ndroqit dhe të dilet me një vendim të formës së prerë për sekuestrimin apo jo të këtyre pronave.

Aktualisht 16 pronat administrohen nga Agjencia e Administrimit të pronave të sekuestruara dhe administrator është caktuar Arjan Baçi.