Me kërkesë të Strukturës së Posaçme anti-korrupsion (SPAK), Agjencia e Administrimit të Pasurive ka sekuestruar ish-“Hotel Vollgën” në qytetin e Durrësit, ndërtesë e cila rezulton të jetë pronë e Emiljano Shullazit.

Masa e sekuestros vjen pak muaj pasi Operacioni policor Forca e Ligjit (OFL) i dërgoi Shullazit formularin për justifikimin e pasurisë, ndërkohë që një vit më parë hetimet për pastrim parash qenë mbyllur për “mungesë provash”.

Në tetor të 2018, trupa gjykuese drejtuar nga gjyqtari, Fran Prendi shpalli fajtor dhe e dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin për gjobëvënie dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e presionit dhe kanosjes ndaj dy rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule dhe atë të shkatërrimit të pronës. Çështja në fjalë aktualisht është në apel.

Foto/LSA: Godina e ish-Hotel Vollgës vendosur në shiritat e sekuestros nga autoritetet ligjzbatuese.

Historia e ish-Hotel Vollgës

Godina trekatëshe përballë Torrës Veneciane në kryqëzimin mes rrugëve Anastas Durrsaku dhe Taulantia në Durrës nisi të ndërtohej rreth vitit 1938.

Fillimisht qe menduar të shërbente si seli e Komandës së Marinës Italiane. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë u shndërrua në “Hotel dei Dogi” dhe pas pushtimit nazist në “Majestic Hotel”.

Me çlirimin e vendit, godina mori emrin “Vollga” kjo nën ndikimin e frymës sovjetike që pati regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Pas rrëzimit të diktaturës në fillim vittet ’90 godina u privatizua duke iu kthyer Alije Fortuzit. E moshuara ishte trashëgimtare e vetme e mbetur nga familja Fortuzi, familje që diktatura i pati shtetëzuar shumë prona.

Foto/LSA: Godina e ish-Hotel Vollgës vendosur në shiritat e sekuestros nga autoritetet ligjzbatuese.

Historia e pretendimeve të pronësisë së ish-Hotel Vollgës dhe lidhja me Shullazin

Në vitin 1994, Agim Sula me prokurë nga Alije Fortuzi ia shiti ish-hotel Vollgën një kompanie arabe të quajtur “Saudi Brothers Commercial Company”.

Rreth 8 vite më vonë, kujdestari i Alije Fortuzit, Zamir Hasa, shfaqi pretendime për pronën duke vënë në diskutim prokurën me të cilën ishte shitur godina dhe nisi një proces të gjatë gjyqësor.

Në vitin 2016 pas arrestimit të Emiliano Shullazit për akuza të tjera, policia zbuloi se ai rezultonte pronar i ish-“Hotel Vollgës” me dy akt-dhurime të firmosura në vitin 2014.

Autoritetet kanë ngritur dyshimet se ai fillimisht ka marrë me kanosje 20% përqind të pronësisë duke përfituar nga konfliktet dhe burokracitë që i ishin shfaqur administratorit të kompanisë arabe Ylvi Beqja. Më pas pjesën tjetër prej 80% ia ka marrë familjes Kodra, e cila ia kishte blerë këto kuota kompanisë arabe pak përpara se Beqja t’ia dhuronte pjesën e mbetur. Të dyja këto kuota atij i kanë kaluar me akte noteriale dhurimi.

Mënyra e blerjes së pronësisë dhe dhurimeve ka ngritur dyshimet për “marrje prone me kanosje” dhe “pastrim parash”. Mirëpo në vitin 2019 autoritetet mbyllën hetimet për pastrim parash me arsyetimin se “nuk kishte prova të mjaftueshme”.