Ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi sot një takim me Enkelejd Alibeajn, të cilin e njeh si ushtruesin e detyrës së kryetarit të PD.

Diplomatja amerikane vlerësoi bashkëpunimin mes SHBA dhe PD duke shtuar se ai duhet të vazhdojë duke parë përpara dhe jo mbrapa.

“Diskutim shumë i mirë sot me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike dhe kreut të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj për një gamë të gjerë çështjesh. SHBA ka pasur një marrëdhënie të fortë e të veçantë me PD që në lindjen e saj. Ne e vlerësuam këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD. SHBA dhe Shqipëria kanë shumë punë përpara për ta mbajtur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, demokracinë, ndërtimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe zgjerimin e mundësive të biznesit dhe ekonomik për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa”, shkruan Kim.

Paloka sulmon ashpër Yuri Kim: Nuk njeh gjykatat, kërkon të përçajë opozitën

Deputeti demokrat dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka ka sulmuar ashpër ambasadoren amerikane Yuri Kim pas takimit që kjo e fundit zhvilloi me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Sipas Palokës, diplomatja amerikanë përveçse ka dalë në mbështetje të mazhorancës, nuk njeh vendimin e gjykatës dhe është vënë në funksion të përçarjes së opozitës shqiptare.

“Ky është me tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike, por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë! Kjo zonja që uroi Ramën për “fitoren historike” pa mbaruar akoma procesi zgjedhor me 25 prill; që ka dalë hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar në rajon (siç e cilëson vetë Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe që prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarrë një akt të fundit, gjithnjë në shërbim të të njëjtit qëllim.

Zonja ambasadore, me arrogancë, tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës, po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare megjithëse flet gjithë kohën për drejtësinë.

Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, po nuk mund të vendosesh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve shqiptarë”, shkruan Paloka.